Telegrafi

Opozita dhe pozita takohen për demarkacionin, ndërmjetësojnë ambasadorët

Përfaqësues e pozitës dhe opozitës me ndërmjetësim të ambasadorëve që janë të akredituar në Kosovë kanë pasur një takim sot në hotel “Emerald” ku kanë diskutuar për demarkacionin me Malin e Zi.

Një burim ka treguar në kushte anonimiteti për Indeksonline temën e takimit dhe pjesëmarrësit që kanë qenë.

Në këtë takim kanë qenë zyrtarë të lartë të AAK, NISMA-s, PDK-së dhe LDK-së, por jo edhe të Vetëvendosjes.

Ardian Gjini dhe Blerim Kuçi kanë qenë nga AAK-ja. Bilall Sherifi dhe Jakup Krasniqi nga Nisma. Adem Grabovci dhe Xhavit Haliti nga PDK-ja, ndërsa nga LDK-ja ka qenë vetëm Arban Abrashi, ndërsa Lutfi Haziri e ka anuluar takimin.

Në takim kanë qenë po ashtu ambasadorja e Gjermanisë Angelika Viets, ambasadorja e Francës, Marsye Daviet, përfaqësues të ambasadës amerikane, ambasadori i Norvegjise dhe ai i Zvicrës.

Po ashtu në takim ka qenë nga shoqëria civile Anim Rashiti.

Temë qendrore e diskutimit ka qenë demarkacioni me Malin e Zi.

“PDK-ja dhe LDK-ja ka pasur përplasje për demarkacionin. Xhavit Haliti ka thënë se nuk e voton këtë demarkacion sepse nuk mund të shkojë më në vend të vetin, Pejë. Ndërsa Abrashi e ka mbajtur qëndrimin që demarkacioni është në rregull”, ka thënë burimi.

Indeksonline merr vesh se njëri prej arsyeve të këtij takimi ka qenë edhe përkrahja për opozitën nga lobi shqiptaro-amerikan.

Ky takim ka qenë në vazhdën e takimeve që i ka pasur opozita më përfaqësuesit ndërkombëtar.

Takimi ka ndodhur me ndërmjetësimin e një organizate të huaj në Kosovë.