Site icon Telegrafi

Oficeri britanik i pensionuar: Gjasat për kolapsimin e ushtrisë ruse janë 30-40 për qind

Një oficer i lartë i pensionuar i Forcave Ajrore Britanike (RAF), Edward Stringer, ka thënë se gjasat që forcat e armatosura të Rusisë të përjetojnë kolaps plotë janë 30 deri në 40 për qind.

Në këtë rast, sipas ekspertit ushtarak britanik, lufta në Ukrainë do të merrte fund deri në festën e Krishtlindjes, transmeton Telegrafi.

Gjatë një interviste dhënë për Sky News, Stringer tha se më herët ka menduar se lufta do të hyjë në vitin e dytë, por ka ndërruar mendje për shkak të situatës aktuale në terren.

“Nuk e di se si rusët do të mund të rigrupoheshin dhe të gjejnë një mënyrë që të jenë në gjendje sërish të marrin iniciativën dhe të sulmojnë. Duke marrë parasysh se si do të zhvillohen gjërat në terren, shpresojë që Zelensky do të vijë në situatën që sërish të mund të rifillojë bisedimet – por se kësaj radhe në kushte shumë më të mira – e ndoshta edhe të fitojë kundër pushtimit rus dhe të çlirojë vendin”, shtoi Stringer.

“Herët apo vonë të gjitha konfliktet përfundojnë me negociata. Është e rëndësishme të kalibrohet deri në çfarë mase dëshironi të mbani të hapura kanalet, dhe në çfarë mase i duhet Putinit të mendojë se Rusia është akoma komb fqinj. Më herët mendoja se lufta do të hyjë në vitin e dytë, ndërsa tani besoj se do të përfundoj deri në Krishtlindje dhe mund të shohim kolapsimin e forcave të armatosura ruse nga 30 deri në 40 për qind, e kjo me automatizëm vë në pikëpyetje të ardhmen e Putinit”, tha ndër tjera ushtaraku britanik. /Telegrafi/

Exit mobile version