Vdekjet e pacientëve me COVID-19, kanë nxitur një përplasje mes ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj.
Deputeti Rexhaj në fjalimin e tij në Kuvend tha se është për keqardhje se si po menaxhohet pandemia COVID-19, teksa vdekjet e pacientëve të infektuar me virus i quajti “vrasje”, transmeton Telegrafi.
“Sa ishte Qeveria Kurti nuk kishim të vdekur, e tani kemi të vdekur aksidentalisht, e besa mund t’i quajmë vrasje. Shprehu keqardhjen për keqmenaxhimin e pandemisë COVID-19. Pse nuk e shpallni gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai.
Pas kësaj, ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka thënë se kualifikimet rreth vdekjeve në klinikat e QKUK-së, nuk i bëjnë nder askujt.
“Kualifikimi rreth vdekjeve në Klinikat tona nuk i bëjnë nder askujt pa qenë rrethanat e sqaruar dhe raportet zyrtare qoftë nga Prokurori dhe Inspektorati shëndetësor. Andaj kualifikimet deri në vrasje është papërgjegjësi totale, është fyerje për familjet e të vdekurve dhe tregon pafytyrësinë politike të adresimit të një çështje të tillë”, deklaroi ministri Zemaj.
Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 4 mijë 100 raste, 2 mijë e 63 persona janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 86 raste të vdekjes./Telegrafi/