Telegrafi

“Nuk do të luaj derisa Tedesco të jetë trajner, më kërcënoi”, Courtois flet për vendimin e tij

Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois ka bërë të ditur se nuk do të luajë në Euro 2024 edhe nëse shërohet nga lëndimi i gjurit dhe arsyeja është se ai nuk dëshiron të luajë më për trajnerin Domenico Tedesco.

Në një intervistë për portalin Sporza, Courtois ka folur për herë të parë publikisht për problemin që ka me trajnerin italian.

Prej muajsh mediat belge shkruanin se Courtois u zemërua me Tedescon kur nuk i dha shiritin e kapitenit në ndeshjen kundër Austrisë, edhe pse shpresonte të festonte ndeshjen e 100-të në fanellën e kombëtares.

Courtois konfirmoi se u zemërua me trajnerin për shkak të kësaj, por se nuk ishte pika e fundit.

Lexo po ashtu Courtois do të humbasë Euro 2024 me Belgjikën, i jep prioritet sezonit të ardhshëm me Real Madridin

“Nëse kjo do të ishte arsyeja e vendimit tim, unë do të kisha ndaluar së mbrojturi në mars, kur Tedesco vendosi që De Bruyne të ishte kapiten dhe se unë dhe Lukaku do të ishim zëvendësues, por pa një hierarki të qartë”, tha Courtois dhe më pas shpjegoi se çfarë e detyroi atë të merrte një vendim drastik për t’u tërhequr përkohësisht nga kombëtarja.

“De Bruyne ishte i lënduar dhe ai na tha vetëm disa orë para ndeshjes së parë se Romelu do të jetë kapiten kundër Austrisë, dhe unë kundër Estonisë tre ditë më vonë. Ishte vetëm hera e dytë që ai më afrohej në përgatitje për ndeshjen”.

“Aty është diçka që në atë moment u thye brenda meje. Nuk durova dot më, pas ndeshjes me Austrinë u ula me Tedescon dhe drejtorin e kombëtares Franky Vercauteren dhe folëm hapur. Thjesht e ndjeva qe as ai as federata nuk më vlerësoi”, shtoi portieri duke treguar detajin më tronditës.

“Trajneri më bëri shumë presion që të mos largohesha dhe ai madje më kërcënoi se do t’i tregonte shtypit gjithçka që folëm privatisht në atë takim. Unë i thashë se ishte joetike dhe se ishte një shkelje e qartë e besimit mes lojtarëve dhe trajnerit”.

“Të nesërmen doli gjithçka në media dhe e di që ai u ka dhënë të gjitha informacionet. I kërkoj falje tifozëve që u largova nga kombëtarja, por nuk durova padrejtësinë në atë moment”, potencoi belgu, i cili nuk ka dashur t’i përgjigjet as mesazhit që i ka dërguar trajneri pasi në gusht pësoi një dëmtim të rëndë në gju.

“Për momentin është e vështirë që do të ketë një pajtim. Unë jam për të folur, por nuk mund të flas me dikë që nuk kam besim”, përfundoi ylli i Real Madridit.

Kujtojmë që Courtois aktualisht është duke u rikuperuar nga një dëmtim i gjurit që ka pësuar në gusht dhe parashikohet që të rikuperohet në fillim të Euro 2024. Por, për fat të keq, në rishikimin e përzgjedhjeve më të mira evropiane, nuk do të shohim një nga portierët më të mirë të ditës së sotme. /Telegrafi/