Telegrafi

“Nuk mori doping me qëllim”, Deschamps i del në mbrojtje Pogbas

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Francës, Didier Deschamps ka thënë se nuk beson që Paul Pogba ka marrë doping me qëllim.

Mesfushori i kombëtares franceze dhe Juventusit u suspendua për katër vite të enjten pasi testi i dytë rezultoi pozitiv për substancën e ndaluar testosteron.

Pogba u pezullua fillimisht në shtator pasi rezultoi pozitiv pas fitores 3-0 të Juventusit ndaj Udineses në hapjen e sezonit të Serie A më 20 gusht.

“Jam i pikëlluar, i tronditur dhe i zemëruar që më është hequr gjithçka që kam ndërtuar në karrierën time si lojtar profesionist. Si pasojë e vendimit të shpallur, do të ankimoj në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, ka thënë Pogba pas dënimit.

Lexo po ashtu Pogba thyen heshtjen pas ndalimit prej katër vitesh për doping

Nuk ka vonuar shumë dhe njerëz të sportit i kanë dalë në mbrojtje Pogbas. Njëri nga ta është edhe trajneri i Francës, Deschamps.

“Në asnjë moment nuk mund ta imagjinoj se Paul kishte qëllimin dhe dëshirën për të dopinguar. Unë e njoh mirë atë, e di që kjo nuk është fare në gjendjen e tij të vetëdijes”.

“Tani, këtu janë faktet dhe çfarë zbulojnë dy mostrat e marra. Prania e një hormoni të paligjshëm është e padiskutueshme”, ka thënë trajneri francez. /Telegrafi/