Telegrafi

Nuk është vetëm Tuchel: Tre përplasjet e paharrueshme që Conte i kishte ndër vite

Thomas Tuchel nuk është i pari që përplaset ashpër me Antonio Conten në fushë, pasi edhe në të kaluarën kishte skena të tilla nga italiani.

Strategu i Tottenhamit është i njohur për temperamentin dhe personalitetin e tij, duke e bërë atë një nga figurat më ikonike në futbollin modern. Tifozët e klubeve që ai drejton e duan atë; përkrahësit kundërshtarë nuk e durojnë dot. Është fati i personazheve të mëdhenj. Ju mund t’i doni ose t’i urreni ata dhe Conte është një prej tyre.

Taktikani italian u përplas me homologun e tij të Chelseat, Thomas Tuchel të dielën. Përballja e tyre është bërë shpejt virale në rrjetet sociale dhe është padyshim ngjarja më e debatuar futbollistike e fundjavës.

Lexo po ashtu Mediat në Itali nxjerrin kuptimin e fjalëve që Conte ia tha Tuchelit gjatë përplasjes tensionuese në derbi

Gjermani nuk është i pari që përplaset me Conte në fushë, kështu që ne shikojmë tre mosmarrëveshje të mëparshme të paharrueshme që përfshijnë 53-vjeçarin.

Conte u përplas me Jose Mourinhon në janar 2018, kur italiani ishte në krye të Chelseat dhe Special One drejtonte Manchester United.

Mourinho u ankua për festimin e ekzagjeruar të Contes pas golit të katërt të Chelseat në një fitore 4-0 në “Stamford Bridge”.

“Ju nuk festoni kështu me 4-0, mund ta bëni me 1-0 përndryshe, është poshtëruese për ne”, i tha trajneri portugez Contes pas ndeshjes.

Kjo shkaktoi një seri të gjatë incidentesh dhe citatesh mes dy trajnerëve që janë takuar së fundmi në një ndeshje miqësore mes Spurs dhe Romës duke treguar respekt për njëri-tjetrin.

Ish-asistenti i Contes, Angelo Alessio foli për argumentin e famshëm në një intervistë ekskluzive me Football Italia vitin e kaluar, duke thënë se në fund të fundit, Conte dhe Mou janë ‘shumë të ngjashëm’.

Lexo po ashtu E pazakontë: Përmes Instagramit, Conte thumbon ashpër Tuchelin

Ish- trajneri i Juventusit dhe Interit nuk po debaton vetëm me kolegët e tij. Gjatë sezonit të tij të parë në Inter, në finalen e Ligës së Evropës të humbur kundër Sevillas, trajneri italian për pak doli ballë për ballë me Ever Banegan.

“Do të shihemi pas ndeshjes”, i tha Conte ish-mesfushorit të Interit, ndërsa anëtarët e stafit të tij shmangën një përplasje fizike.

Megjithatë, përplasja më e njohur në fushë midis Contes dhe një rivali erdhi disa muaj më vonë, gjatë sezonit të tij të dytë në San Siro.

Conte ishte rikthyer në “Allianz Stadium” për herë të dytë si kundërshtar dhe skuadra e tij Inter u përball me Juventusin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Ishte shkurt i vitit 2021.

Presidenti Agnelli u shfaq duke fyer Conten pas fishkëllimës së fundit.

Por, pse ishte kaq i zemëruar? Një video që qarkulloi në mediat sociale pas ndeshjes vërtetoi se Conte kishte treguar gishtin e mesit duke parë drejtorët e Juventusit dhe Agnelli në tribunë pak para pushimit.

Lexo po ashtu Kane nuk mund të largohej nga intervista pa u përgjigjur në atë çfarë ndodhi mes Contes dhe Tuchel

Conte u gjobit me 2000 euro dhe kërkoi falje disa ditë më vonë, duke thënë se ai ‘reagoi në mënyrë të gabuar’ ndaj fyerjeve që kishte marrë.

“Futbollistët, trajnerët dhe presidentët duhet të veprojnë si model dhe ne duhet ta kujtojmë gjithmonë këtë”, tha ai në një konferencë për shtyp gjatë asaj jave.

“Më vjen keq sepse kam reaguar në mënyrë të gabuar ndaj fyerjeve. Mund të kisha bërë diçka ndryshe duke ngritur grushtin ose duke duartrokitur, duhet të kisha pasur një qëndrim më pozitiv”. /Telegrafi/