Lionel Messi ka shënuar 854 gola, shumë prej të cilëve janë kryevepra madhështore, që mbahen mend dhe do të shihen vazhdimisht.
Në kulmin e karrierës së tij, veçanërisht te Barcelona, për të cilën shënoi 672 gola, Messi kishte aftësinë e jashtëzakonshme për të dribluar kundërshtarët sikur të mos ekzistonin, pas së cilës do të shënonte një gol mjeshtëror.
Kjo është një nga arsyet pse ai konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Goli i Messit kundër Getafes është i paharrueshëm, të cilin ai e shënoi pas një driblim të stilit Maradona dhe shumë e konsiderojnë atë si golin më të mirë të ikonës së Barcelonës dhe Argjentinës.
Por, Thierry Henry, i cili luajti me Messin te Barcelona nga 2007-2010, veçoi një gol të harruar të magjistarit argjentinas si më të mirin e tij në karriere.
Është interesante se ky gol zakonisht nuk gjendet në listat apo përmbledhjet e më të mirëve, më të bukurve apo më tërheqësve të Messit, por ia vlen të shihet pse një nga golashënuesit më të mëdhenj e konsideron të tillë.
Henry pretendon se goli i Messit kundër Malagas në sezonin 2008/09 është më i miri i tij, pasi nuk është diçka normale dhe tejkalon logjikën.
Hablando de jugadas con dos toques en milésimas de segundo, he aquí este gol de Messi al Málaga. Lo cuenta Titi Henry.pic.twitter.com/IHZXGkK7pi
— Albert Valor (@PLF_2008) March 13, 2025
“Goli i Messit kundër Malagas në Camp Nou është më i miri i tij, sepse mënyra se si e shënoi kundërshton logjikën. Një top diagonal, kontroll me gjoks, vrapim me shpejtësi të plotë. Kundërshtari i parë po vjen drejt tij, i dyti është menjëherë pas tij”.
“Nëse Messi e ka topin në këmbën e tij të majtë këtu, si mund ta prekë topin përsëri me të njëjtën këmbë në ajër dhe mes këtyre dy mbrojtësve. Portier nuk mund ta prekë topin në këndin e tij. Kjo nuk është normale”, e përshkroi Henry. /Telegrafi/