Site icon Telegrafi

Nuk është në planet e Tuchel, skuadrat e mëdha po ndjekin situatën e Ziyech

Ndryshimi i trajnerit te Chelsea nuk është pritur aspak mirë nga Hakim Ziyech.

Mesfushori maroken iu bashkua gjigantit anglez verën e kaluar për 40 milionë euro nga Ajaxi, por aventura e tij në Angli nuk ka shkuar siç është më së miri, fillimisht shkaku i lëndimeve.

Por pas shkarkimit të trajnerit Frank Lampard, Ziyech nuk është preferuar nga trajneri Thomas Tuchel i cili duket se nuk e ka në plane, duke e aktivizuar vetëm në ndeshjen e parë ndaj Wolves dhe në Kupën FA ndaj Barnsley.

Mediat në Angli kanë raportuar se mesfushori ofensivë mund të largohet qysh këtë verë nga Londra, pasi nuk i pëlqen situata aktuale në klub.

E ardhmja e tij mund të jetë në kampionatin italian Serie A, pasi Milan dhe Juventus janë duke monitoruar situatën e tij.

Nga mediat italiane përmendet edhe Roma si opsion për lojtarin, nëse largohet armeni Henrikh Mkhitaryan.

Gjithsesi në garë për marokenin janë edhe Borussia Dortmund dhe Atletico Madrid që gjithashtu kanë shprehur interesim për të.

27-vjeçari këtë edicion ka luajtur në total në 19 ndeshje, ku ka shënuar dy gola e ka asistuar në katër të tjerë.

Te Chelsea do të ishin të lumtur nëse arrijnë ta shesin lojtarin për çmimin që paguan, 40 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version