Telegrafi

Norvegjia bëhet vendi i tretë që do t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë F-16

Norvegjia ka vendosur t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë luftarakë F-16 me qëllim të luftës kundër pushtimit rus, njoftoi sot televizioni norvegjez TV2.

TV2 nuk njoftoi se sa aeroplanë do t’i japë Norvegjia, Kievit. Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Reuters për koment, transmeton Telegrafi.

Nëse lajmi konfirmohet, Norvegjia do të jetë vendi i tretë që do t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë luftarakë amerikanë F-16, së bashku me Danimarkën dhe Holandën.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Stoere u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev të enjten, dhe njoftoi dhurimet e raketave kundërajrore dhe pajisjeve të tjera, por nuk tha asgjë për aeroplanët F-16.

Lexo po ashtu Ukrainasit publikojnë videon, me të cilën pretendojnë se janë future në Krime dhe kanë ngritur flamurin

Forcat Ajrore norvegjeze nxorën në pension një flotë prej 57 F-16 vitin e kaluar. Norvegjia ka rënë dakord t’i shesë 32 prej atyre aeroplanëve Rumanisë anëtare të NATO-s, për të cilën Stoere tha se është një marrëveshje përfundimtare.

12 aeroplanë F-16 duhet t’i shiten një kompanie private të angazhuar në trajnimin e Forcave Ajrore të SHBA, por ky plan nuk ka marrë ende miratimin përfundimtar dhe disa analistë besojnë se këta aeroplanë mund t’i dhurohen Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë tha vitin e kaluar se 13 aeroplanët e mbetur ishin shumë të shtrenjtë ose shumë të vështirë për t’u riparuar, dhe mund të vendoseshin në një muze, të përdoren për pjesë këmbimi ose të përfundonin në kantier skrap për t’u ricikluar.

Norvegjia ka zëvendësuar aeroplanët e saj F-16 me modelin F-35. /Telegrafi/