Kompania britanike Arash në fillim të muajit të ardhshëm në panairin e veturave në Gjenevë do të prezantojë modelin e modifikuar Arash AF10, trupi i të cilit është i ndërtuar nga fibra të karbonit dhe alumini.
Kjo kompani, në këtë panair përveç këtij modeli të modifikuar do të prezantojë edhe modelin tjetër, AF8.
Hipervetura Arash AF10 do të jetë në dispozicion në shumë versione, nga versioni standard me motor V8 me kapacitet prej 550 kuajfuqi e deri te versioni hibrid me kapacitet në total prej 2080 kuajfuqi, transmeton Koha.net.
Sistemi i tërheqjes në version hibrid ndryshe përshkruhet edhe si “warp drive system”, ndërsa përfshin kombinimin e motorit benzinë 6.2-litër V8 me kompresor dhe me kapacitet prej 900 kuajfuqi, me katër motorë elektrikë ku secili prej tyre është me kapacitet prej 220 kW.
Shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 2,8 sekonda.
Gjithashtu duhet përmendur se modeli Arash AF10 është në dispozicion edhe në version garues “Racer”.
Sa i përket çmimit, Arash AF10 me motor benzinë V8 e me kapacitet prej 550 kuajfuqi kushton rreth 350 mijë funte, Arash AF10 Hybrid kushton rreth 1.1 milion funte, ndërsa Arash AF10 Hybrid Racer kushton rreth 1.2 milion funte.