Qeveria e Kosovës ka propozuar tetë emra për bordin e Ndërmarrjes Publike “Agjencia Kosovare e Privatizimit”. Ndër ta është edhe Nazmi Mikullovci, i cili ka qenë kryesues i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje.
Mikullovci për KALLXO.com e ka pranuar se ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa kur është pyetur nëse është pjesë e LVV-së, ai ka thënë se kjo është e paqartë.
“S’po di çka me të thënë, është pak e pa definuar. Unë kam qenë vetëm nga aspekti i ekonomisë, kam qenë anëtar i thjeshtë, madje një kohë as anëtar. Unë jam marrë vetëm me çështje ekonomike, në atë formë kam marrë pjesë nëpër mbledhje, kam përfaqësuar Vetëvendosjen në këto bisedat nëpër emisione. Unë jam ekonomist, gjithë jetën jam marrë me ekonominë dhe ata më kanë pranuar si të tillë”, deklaroi Mikullovci, pa dashur të zgjatet më shumë.
Mikullovci, i cili ka qenë për një kohë të gjatë në krye të Ndërmarrjes Publike “Trepça” ka thënë se nuk e di nëse është favorizuar për t’u propozuar për drejtor të bordit të AKP-së.
Bashkë me Mikullovcin, për bordin e AKP-së janë propozuar edhe Syzana Dautaj- Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi- Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky do të jetë bordi i fundit të AKP-së.