Site icon Telegrafi

“Njerëzit filluan të mendojnë për vetëvrasje”: Të evakuuarit përshkruajnë kushtet ‘si në ferr’ brenda fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol

Ndërsa sulmet ruse në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol po intensifikohen, rreth 200 civilë mendohet se mbeten të bllokuar brenda uzinës.

Rusia deklaroi dje se rrugët humanitare nga fabrika e çelikut do të hapeshin nga ora 08:00 deri në 18:00 me orën e Moskës më 5, 6 dhe 7 maj, me një pauzë në sulme për ta lehtësuar atë.

Sipas Reuters, një zëdhënës i Kremlinit u tha gazetarëve se korridoret humanitare me të vërtetë po funksiononin sot dhe mohoi që forcat ruse të kishin sulmuar uzinën.

Por zyrtarët ukrainas thonë se luftimet po vazhdojnë, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu 'Beteja të përgjakshme' për fabrikën e çelikut Azovstal - rënia e Mariupolit do të ishte 'shkatërruese', vlerëson politikania ukrainase

Inna Sovsun, një deputete, tha se përgatitjet ishin në vend për të evakuuar civilët, por ajo tha se sulmi rus në Azovstal nuk ishte ndalur.

Ushtria ndërkohë thotë se Rusia po përpiqet të shkatërrojë “mbrojtësit ukrainas”, të mbetur në uzinë.

Dje, 344 njerëz – kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar – u evakuuan nga zona e Mariupolit me mbështetjen e OKB-së dhe Kryqit të Kuq, sipas një politikani ukrainas. Ata mbërritën në Zaporizhzhia vonë mbrëmë, por nuk u evakuuan nga vetë fabrika e çelikut.

Ndërkohë, disa nga të evakuuarit kanë përshkruar kushtet ‘si në ferr’ brenda Azovstal, përcjell Telegrafi.

Një grua e quajtur Katerina tha se nuk e pa dritën e ditës dhe se nuk kishte marrë ajër të pastër ndërsa ishte bllokuar atje.

Ajo përshkroi frikën e saj për sigurinë e burrave që ishin me ta në strehimore.

Madje, siç ka thënë ajo, nëse ushtarët e fundit ukrainas të mbetur të ngujuar në fabrikën e çelikut nuk largohen, “ata do të vriten të gjithë”.

Ndërsa një grua tjetër e quajtur Olena tha: “Njerëzit nuk pushojnë së qari. Ata janë në dëshpërim absolut për të ikur nga atje”.

Lexo po ashtu Krejt çfarë dimë për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol dhe situatën atje

“Njerëzit filluan të mendojnë për vetëvrasje sepse nuk shihnin rrugëdalje nga kjo”.

E Marku, një djalë 11-vjeçar, tha se ishte i frikësuar sepse aeroplanët e luftës “gjithmonë qëllonin” dhe “kishte bomba që binin dhe shpërthyen”.

“Ishte e frikshme të dëgjoje të gjitha këto – i gjithë bunkeri dridhej”, ka rrëfyer ai. /Telegrafi/

Exit mobile version