Telegrafi

Një javë nga sulmi terrorist në veri – pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak ende të mbyllura

Pikat e kalimit kufitar me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë ende të mbyllura, edhe një javë pas sulmit terrorist që ndodhi në veri ndaj Policisë së Kosovës.

Kështu bëhet e ditur në faqen e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këto dy pika u mbyllen pasi grupe të armatosura serbe hynë në Kosovë duke sulmuar Policinë me armë zjarri, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Pas Bërnjakut, mbyllet edhe pika tjetër kufitare me Serbinë, Jarinjë

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra gjatë detyrës zyrtare rreth orës 03:00 të 24 shtatorit.

Pas vrasjes së policit, rreth 30 persona të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në Manastirin e fshatit Banjska të Zveçanit, për të vazhduar sërish me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Nga gjuajtjet me armë zjarri u vranë edhe tre sulmues serbë. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës u dënua fuqishëm nga ndërkombëtarët. /Telegrafi/