Kur ndodh një dëmtim në kokë, është e rëndësishme që prindërit të reagojnë dhe të mos i injorojnë disa shenja – këto janë simptomat e një tronditjeje në tru!
Një tronditje ndodh si rezultat i një dëmtimi traumatik të kokës dhe mund të ketë një formë më të rëndë ose të lehtë.
Shumica e tronditjeve ndodhin pas një rënieje, një goditjeje të fortë në kokë, për shkak të lëndimeve sportive etj.
Fëmijët janë shpesh aktivë dhe të gjallë, ata ngjiten, kërcejnë, vrapojnë dhe kur ndodh një dëmtim në kokë, është e rëndësishme që prindërit të reagojnë dhe të mos injorojnë simptoma të caktuara.
Tronditja është një “dëmtim i lehtë traumatik i trurit” i shkaktuar nga një goditje në kokë ose një rënie që çon në një ndërprerje afatshkurtër në funksionimin normal të neuroneve dhe indeve të trurit.
Simptomat serioze të tronditjes përfshijnë dhimbje koke, të vjella, konfuzion, marramendje, vështirësi në ecje, çrregullime të ekuilibrit dhe ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit.
Të gjitha kërkojnë një vizitë të menjëhershme te mjeku, ndërsa një dhimbje koke e lehtë, pasiguri e lehtë në ecje ose ekuilibër, lodhje, humbje përqendrimi dhe përgjumje mund të kalojnë edhe vet.
Po sikur të mos jeni i sigurt se është një tronditje
Monitoroni fëmijën tuaj me kujdes. Nëse ai ka ankesa të lehta, nëse asnjë nga simptomat më serioze nuk shfaqet brenda 24 deri në 48 orëve pas dëmtimit të kokës, nëse ha dhe fle normalisht pa u dridhur apo qarë, ka shumë mundësi që gjithçka të jetë në rregull.
Me fëmijët mbi gjashtë vjeç mund të mbështeteni në përvojën dhe instinktin tuaj, ndërsa me të vegjlit duhet të jeni pak më të kujdesshëm. Nëse mundeni, konsultohuni me një pediatër përpara se ta çoni fëmijën tuaj në qendrën shëndetësore ose spital, sepse nuk është mirë që ai të ulet në dhomat e pritjes plot me viruse nëse lëndimi i tij nuk kërkon ndihmë.
Në të kaluarën, prindërit këshilloheshin që ta zgjonin fëmijën çdo katër orë, për t’u siguruar që ai të jetë mirë dhe të mos ketë probleme neurologjike, por sot janë në fuqi rekomandimet e reja, sipas të cilave ai duhet të lejohet të flejë . Megjithatë, kjo vlen vetëm për gjumin që nuk e kalon gjatësinë e zakonshme, nëse fëmija nuk ankohet, qan apo dridhet… /Telegrafi/