Qeveria e Kosovës të enjten në një mbledhje miratoi nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
E aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e këtij institucioni ndërkombëtar e dorëzoi po të enjten ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovës në KiE, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Gërvalla në një video-mesazh.
Aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e KiE-së e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga ky institucion.
Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti i dërgohet Komitetit të Ministrave.
“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i dërgohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë të enjten Holgten për Telegrafin.
Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.
Procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.
Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.
Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.
Por sa janë gjasat që Kosova të anëtarësohet në KiE?
Sipas njohësve të integrimeve evropiane, gjasat që Kosova të marrë përgjigje pozitive për anëtarësim në këtë institucion janë reale.
Emrush Ujkani, profesor i së drejtës evropiane, përmend tërheqjen e Rusisë nga ky mekanizëm dhe infrastrukturën ligjore e kushtetuese të Kosovës, si arsye që ndihmojnë në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Gjasat që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës janë të mëdha, marrë parasysh tërheqjen e Rusisë nga ky mekanizëm, por ajo që është e rëndësishme është se Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore dhe kushtetuese që e bën të jetë në linjë me standardet e Këshillit të Evropës, dhe shumica e vendeve anëtare e njohin Kosovën. Realisht në aspektin procedural nuk shoh ndonjë pengesë”, ka deklaruar Ujkani në një prononcim për Telegrafin.
Sa i përket kohëzgjatjes së procedurave, profesori tha se varion nga rasti në rast, pasi është më shumë çështje e brendshme e Këshillit.
“Nuk ka ndonjë periudhë strikte, por janë më shumë çështje brenda për brenda Këshillit. S’mund të them që do të ndodhë brenda vitit 2022. E rëndësishme është që Kosova ka aplikuar”, deklaroi ai.
Profesor Ujkani përmendi rastin e Armenisë, e cila ka shprehur interesim për anëtarësim në KiE në vitin 1996, por është anëtarësuar pas pesë vitesh. Megjithatë, tha se në rastin e Kosovës nuk beson që procedura do të zgjasë kaq shumë.
“Zgjatja e procesit varet nga të dyja palët. Është mirë që Kosova ka marrë masa për t’i zbatuar standardet e Këshillit të Evropës. Nga kjo perspektivë besoj që jemi shumë mirë”, shtoi ai.
Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) i menjëhershëm ishte reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili tha se pala kosovare “ka prishur” marrëveshjen e Washingtonit, e i cili pretendim hidhet poshtë nga njohësit e politikës në vend.
Por Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk është shkelë marrëveshja e Washingtonit e vitit 2020
Haxholli përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pika e kësaj marrëveshje në të cilën Kosova është zotuar që të mos aplikojë 1 vit në organizata ndërkombëtare, ka skaduar më 4 shtator 2021.
E lidhur me procesin e aplikimit të Kosovës për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës, ka folur edhe profesori i Universitetit të Oxfordit, Samuel Ramani.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, është shprehur optimist se Kosova mund të bëhet pjesë e KiE-së.
Ramani shpjegon se 46 vendeve anëtare në këtë organizatë, 34 e njohin Kosovën. E sipas tij, për tu pranuar në KiE, duhen 31 vota.
“34 nga 46 anëtarë të Këshillit të Evropës e njohin Pavarësinë e Kosovës”. 31 kërkohen për të miratuar anëtarësimin e Kosovës. Pavarësisht nga protestat e Serbisë, Kosova është e pajisur mirë për t’u bashkuar”, shkroi Ramani.
Për aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e KiE-së kanë reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, e liderë partiakë.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është mishërim i demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, vlera këto mbi të cilit tha se bazohet Këshilli i Evropës.
Osmani përmes një postimi në Facebook, tha se shpreson që do të përkrahet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas aplikimit zyrtar të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se anëtarësimi është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Edhe kryetarët e partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së kanë shprehur mbështetjen për aplikimin e Kosovës në KiE. /Telegrafi/