Ditën e sotme nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit që pritet të mbahen në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.
Një ditë më parë organizata më e rëndësishme ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve, OSBE-ODIHR dha mesazhin e qartë se fushata duhet të jetë paqësore dhe e hapur, ndërsa konkurrimi politik të jetë sa më konstruktiv dhe në zbatim të ligjit shqiptar e standardeve ndërkombëtare.
Edhe Presidenti Bajram Begaj dha mesazhe të forta dhe porosi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse që të monitorojnë fushatën elektorale me kujdes dhe të dënojnë çdo fenomen që mund të cenojë procesin zgjedhor, mes tyre edhe shit blerjen e votës.
Ndonëse partitë politike kanë nisur takimet e tyre me mbështetësit, tashmë kandidatët për kryetarë bashkie do të hyjnë zyrtarisht në fushat.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ hodhi shortin dhe partitë mësuan renditjen e tyre në fletën e votimit dhe numrin e kandidatëve me të cilin do të bëjnë fushatë.
Më 14 maj 140 kandidatë garojnë për 61 bashki të vendit ku gara më e fortë pritet në qytet kryesore ndërmjet Partisë Socialiste, koalicionit “Bashkë Fitojmë” (Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta dhe grupimi i Sali Berishës) dhe Partisë Demokratike.
Ndërkohë në listën për këshillat bashkiak garojnë 40 parti në të gjithë vendin.
Gara për 14 majin do të jetë kryesisht mes PS dhe koalicionit “Bashkë fitojmë”, të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike, e përfaqësuar nga kryetari në detyrë Enkeljd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga tre kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë katër kandidatë.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë.
PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt në Tiranë, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkohë PD ka kandiduar Roland Bejkon. /Telegrafi/