Site icon Telegrafi

Nikçi për operacionin kundër fajdexhinjve: Viktima e paraqiti vet rastin

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë se do të kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve që u arrestuan për fajde dje e sot në Pejë, Prishtinë e Gjilan.

Në TV Dukagjini Nikçi ka thënë se sa i përket operacionit kundër fajdexhinjve që u realizua dje e sot nga Policia e Kosovës, viktima e fajdeve ka raportuar vetë rastin në polici.

Me këtë rast, ai ka thënë se me të pranuar informatën pastaj kanë vijuar edhe bastisjet, mbledhja e informatave dhe arrestimi i të dyshuarve.

“Do të kërkohet masa e paraburgimit për të dyshuarit e fajdeve. Tani jemi duke grumbulluar informacionet pasi kjo është vepër komplekse dhe duhet sigurim i gjitha provave. Viktima e fajdeve erdhi dhe lajmëroi rastin”, ka thënë Nikçi.

Lexo po ashtu Shkon në shtatë numri i fajdexhinjve të arrestuar, reagon Sveçla: Toleranca ndaj fajdes dhe haraçit ka përfunduar

Edhe ish-koloneli, Refki Morina ka thënë se vepra penale “Fajdeja” është goxha komplekse pasi viktimat hezitojnë të bashkëpunojnë me organet e rendit.

“Viktimat te këto raste nuk bashkëpunojnë”, ka thënë Morina.

Operacionin e policisë kundër fajdexhinjve e ka quajtur “operacion të mirë e të mirëseardhur” duke thënë se fajdeja si fenomen i pasluftës ka marrë hov.

“Operacion i mirë, fajdeja ka marrë hov pas luftës, mendoj se aksioni i policisë dhe i prokurorisë ishte i mirëseardhur”, ka vijuar ai.

Lexo po ashtu Në "luftë me fajdexhinjtë”, aksion i ri i Policisë në tri lokacione në Gjilan – pamje nga arrestimi i dy të dyshuarve

Ndryshe, sot, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se deri më tash janë arrestuar 7 persona të përfshirë në veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.

Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës në operacionet që pati dje dhe sot në rajonin e Prishtinës, të Pejës dhe të Gjilanit.

“Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka thënë se toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë ka përfunduar.

Exit mobile version