Nga Korça avokati dhe kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësisë Spartak Ngjela ka komentuar vrasjen e shqiptarit Petrit Zifle në Korfuz nga një ekstremist i Agimit të Artë.
Ngjela tha në një lidhje direkte në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24 se acarimi i grekëve vjen për shkak të ngritjes së profilit të shqiptarëve. Për të, vrasja e shqiptarit është bërë nga forca naziste e fashiste.
“Nuk ka acarim të kotë në Greqi. Acarimi i grekëve vjen me ngritjen e personalitetit të botës shqiptare në Ballkan. Ke parë si thonë këta të paguarit në media që flasin kundër figurave të shquara shqiptare. Kuptohet si luhet kjo. Nuk i bëjnë dot asgjë Shqipërisë as shqiptarëve. Shqiptari është vrarë nga forca naziste, fashiste. Nazizmi ka si substancë të ideologjisë së vet racizmin. Racizmi i tyre s’ka të bëjë me ngjyrën por me kombësinë. E gjithë ajo histori e madhe anti shqiptare tani kuptohet se nuk është bërë kot, është e programuar”, tha Ngjela.
Avokati tha se vrasja për debate si ajo që ka pasur viktima me autorin për Kacifas është në natyrën e nazizmit.
“Kjo është natyra e nazizmit. Nuk kishte ideologji por është sëmundje psikike. Ka mbështetje në konceptin e psikiatrisë. Janë individë që kanë urrejtje. Nisen nga urrejtja. Gjejnë gjithmonë një objekt”, tha Ngjela.