Përfaqësues të trupës diplomatike në Tiranë kanë reaguar pas sulmit ndaj godinës së Top Channel ku ka mbetur i vrarë një punonjës i sigurisë.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi sulmin me armë zjarri në mjediset e “Top Channel”.
Në një deklaratë për shtyp, Delegacioni i BE-së i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojës së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm.
“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medies janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen”, theksohet në deklaratë.
Më tej edhe Ambasada e SHBA në Tiranë reagoi për sulmin e mesnatës së djeshme ndaj televizionit “Top Channel”.
Në reagimin e saj Ambasada dënon me forcë sulmin dhe nxit agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor.
“Ambasada e SHBA në Tiranë dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj “Top Channel” dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë”, shkruan në reagim Ambasada.
Gjithashtu, edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë shprehu sot tronditjen mbi incidentin e dhunshëm në “Top Channel”.
“Shpresojmë që përgjegjësit të dalin sa më parë përpara drejtësisë. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë personat e prekur”, thuhet në një reagim të ambasadës britanike në Tiranë.
Rreth orës 01:00 të pasmesnatës së të dielës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të “Top Channel”. Si pasojë e të shtënave humbi jetën roja i sigurisë, shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Policia e Shtetit po punon për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të vënë para drejtësisë autorët. /Telegrafi/