Site icon Telegrafi

Nga sulmi i ushtrisë ruse në qendrën tregtare në Ukrainë, humbin jetën të paktën dy civilë dhe 20 tjerë lëndohen

Ushtria ruse ka kryer një sulm tjetër me raketa mbi pjesën qendrore të Ukrainës, kësaj radhe cak ishte një qendër tregtare, brenda të cilës në ato momente gjendeshin mbi 1.000 civilë.

Siç raporton BBC, raketa goditi qendrën tregtare në qytetin Kremenchuk, që gjendet në rajonin Poltava në pjesën qendrore të Ukrainës, transmeton Telegrafi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në Telegram, se në qendrën tregtare në kohën e sulmit kishin qenë mbi 1.000 civilë. Tani është rritur frika se mund të ketë shumë të vdekur dhe të lënduar.

Lexo po ashtu Presidenti ukrainas thotë se raketat ruse kanë goditur qendrën tregtare, brenda të cilës gjendeshin mbi 1.000 civilë në Kremenchuk

Gjithashtu presidenti ukrainas theksoi se ky sulm nuk ka kurrfarë arsyetimi, pasi që qendra tregtare nuk është ndonjë bazë ushtarake.

“Kjo qendër tregtare nuk ka paraqitur kurrfarë rreziku për ushtrinë rusë, dhe nuk ka qenë pikë e rëndësishme strategjike për rusët. Njerëzit thjesht donin të bënin jetë normale, e kjo duket se po i nervozon okupatorët. Nga pamundësia që të mposhtin ushtrinë ukrainase, po sulmojnë civilët”, shtoi ai.

E deri më tani është konfirmuar se nga sulmi me raketa në qendrën tregtare janë vrarë të paktën dy civilë dhe mbi 20 tjerë janë lënduar. /Telegrafi/

Exit mobile version