Telegrafi

Java që shkoi – Nga sulmi në Vjenë, konfirmimi i aktakuzave për krerët e UÇK-së, e deri te fitorja e Joe Biden në SHBA dhe deklarata e tij e famshme më 1991 në zyrën e Millosheviqit

Në javën që lamë pas qytetarët e Kosovës janë ‘tronditur’ nga mori ngjarjesh, duke filluar nga sulmi terrorist në Vjenë, ku në mesin e sulmuesve kishte edhe me prejardhje shqiptare, konfirmimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale për ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në javën që lamë pas po ashtu dështoi seanca e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite ishte Projektligji për Rimëkëmbjen ekonomike, e që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e 10 për qindëshit nga Trusti pensional.

Në Kosovë po ashtu pati rritje të numrit të të infektuarve për coronavirus, ku si pasojë vendi u mbyll në fundjavë.

Edhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përcjell me interesim të madh në vend, ndërsa pas fitores së Joe Biden, Qeveria Hoti dhe liderët tjerët në vend uruan presidentin e ri të SHBA-së.

Sulmi në Vjenë: Në mesin e 14 të arrestuarve, dy me nënshtetësi të Kosovës

Në Vjenë të Austrisë të hënën, më 2 nëntor ndodhi një sulm me armë, ku u vranë disa persona. Shteti Islamik mori përgjegjësinë, por ky sulm tronditi edhe shqiptarët, pasi më mesin e 14 të arrestuarve, dy ishin me nënshtetësi të Kosovës.

Haradinaj-Stublla: Tre nga zyrtarët policor që u konfrontuan me terroristët në Vjenë janë me prejardhje nga Kosova

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla ka bërë të ditur se tre nga policët që u konfrontuan me terroristët në sulmin e së hënës në Vjenë janë shqiptarë nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë në Vjenë.

Ministrja Haradinaj këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, ku qëndroi në një vizitë zyrtare, pasi u pyet për rastin në Vjenë.

“…Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vjenë. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara por do të doja të nënvijëzoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje. Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirë integruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak. Le të reflektojmë mbi këtë dëshmi të mirë integrimit të qytetarëve tanë dhe faktit se Kosova qëndron përkrah aleatëve tanë në luftën kundër ISIS dhe terrorizmit”, tha ajo.

Por, disa nga të lënduarit në Vjenë të Austrisë, i trajtoi mjeku Bujar Muqolli. Ortoped – Traumatolog, Bujar Muqolli kryemjek i Klinikës Spitalore më të njohur në Vjenë e Austri ‘Donaustadt Clinic’, është shqiptar nga Peja e Kosovës.

Ai ka rrëfyer anën tjetër të ngjarjes, atë të betejës për të shpëtuar jetët e të lënduarve dhe plagosurve, viktima të pafajshme.

Doktor Muqolli, që ishte në vijën e parë të frontit në ‘Clinic Donaustadt’, tregoi “ Ishte ora 22:00 afërsisht kur ne morëm informatë se po ndodhë diçka e keqe në Vjenë dhe duhet të përgatitemi për të pritur dhjetëra e ndoshta qindra të lënduar. Në minutat e para pak dihej… Mora masat e menjëhershme. Referova të ngritet shkalla e gatishmërisë dhe menaxhuam fazën pritëse, sepse kuptohet krejt bota jemi edhe në ngarkesë protokolli me COVID19. Rastet e para na erdhën shumë shpejt, diku në ora 22:30. Ishin viktima që kishin marrë plagë e lëndime të rënda nga sulmet. Në Spitalin, Klinikën tonë si më e njohura, trajtohen, referohen raste të rënda. Në total deri në mesnatë ne pranuam shtatë raste, të tjerat raste, më të menaxhueshme janë referuar në qendra tjera. Rastet që pranuam në ekip, ja dolëm t’i shpëtojmë. Të gjithë i nxorëm, gjendja ishte e rëndë dhe mbetet, mirëpo mund të them i nxorëm nga rreziku i madh”.

Konfirmimi i aktakuzave nga Specialja për Krasniqin, Selimin, Veselin dhe Thaçin

Gjykata Speciale më 4 dhe 5 nëntor konfirmoi aktakuzën fillimisht ndaj Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, pastaj Kadri Veselit dhe ish presidentit Hashim Thaçi.

Specialja ka kryer bastisje para arrestimit në shtëpinë e Jakup Krasniqit, ndërsa bastisjet në shtëpinë e Selimit, Veselit dhe Thaçit janë kryer pasi ata ishin nisur për në Hagë.

Operacioni i Gjykatës Speciale, bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit

Pas nëntë orësh bastisje nga Gjykata Speciale, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është futur në veturën e policisë së EULEX-it.

Atij i është konfirmuar aktakuza dhe është dërguar në Hagë. Ai sot do të mbajë paraqitjen e parë e në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, në ora 11:00.

Gjykata Speciale ia konfirmon aktakuzën Rexhep Selimit

Po të martën mërkurën është konfirmuar aktakuza ndaj Rexhep Selimi. Ai është nisur për në Hagë të enjte.

Një ditë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij dhe nisjes për në Hagë, i është bastisur edhe shtëpia.

“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombës të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash”, kishte deklaruar Selimi.

Deputeti i LVV-së, ka thënë se po niset në Hagë dhe do të kthehet kokë lartë dhe se ideali i UÇK-së është mbi të dhe mbi këdo tjetër.

Kadri Veselit i konfirmohet aktakuza nga Specialja

Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të enjten, më 5 nëntor i është konfirmuar aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara.

Kjo është konfirmuar nga vet kryetari i PDK-së, Kadri Veseli përmes një deklarate për media.

“Dje pasdite, jam informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Përmes kësaj deklarate, dua t’i informoj qytetarët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe”, thuhej në deklaratë.

Specialja konfirmon aktakuzën edhe ndaj presidentit Hashim Thaçi

Po të enjten, më 5 nëntor aktakuza i është konfirmuar edhe ish presidentit Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur.  Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëjë thirrje të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, tha presidenti Thaçi.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të vendit.

“Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha ai, raporton Telegrafi.

“…Për të mbrojtur integritetin e Presidencës, shtetit të Kosovës, qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës dhe duke respektuar partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare sot jap dorëheqje nga pozita  e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Dështon seanca e Kuvendit, votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje shtyhet për javën tjetër

Të premten, më 6 shtator ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku ishte paraparë të hidhet në votim në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Seanca ka dështuar në mungesë të kuorumit. “Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor

Projektligji parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Qeveria vendos masa të reja kufizuese

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me coronavirus, të premten Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja kufizuese pas rritjes së rasteve me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente nga pandemia e COVID -19, ka propozuar vendimin për ndërmarrjen e masave të mbrojtjes nga pandemia COVID-19.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Pubik i ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke marr parasysh rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19.

Nga fillimi i zgjedhjeve deri te fitorja e Biden – E gjitha ajo që ndodhi në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vitit 2020 vënë përballë dy kandidatët kryesorë për president, Donald Trump dhe Joe Biden.

Këtë vit një numër rekord amerikanësh kanë votuar, ndërsa është Biden ai që mori shumicën e votave elektorale dhe kështu emërohet presidenti i 46-të i SHBA-së.

Kështu i erdhi fundi edhe mbulimit maratonik të Telegrafit për një javë rresht, duke ua mundësuar të shikoni zhvillimet, rezultat dhe reagimet e fundit të gjitha në një vend.

Pas zgjedhjes së Bidenit president të SHBA, Qeveria e Kosovës dhe liderët tjerë politik uruan Biden për postin e presidentit.

Hoti ka thënë se pret që të forcojnë edhe më shumë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Bidenit në zyrën e Millosheviqit më 1991: Zotëri president, unë mendoj se ju jeni një kriminel lufte

Një ngjarje varrimi do të ishte shkëndija e parë e nisjes së interesimit të një senatori amerikan që më pas do të bëhej president, për një vend evropian.

Pas vizitës në Jugosllavi më 1979, me rastin e vdekjes së numrit dy të federatës atëkohë, Edvard Kardel, Joe Biden do t’i shkruante një letër Josip Broz Titos, ku e falënderoi për mikpritjen me shpresën se do të vizitonte vendin prapë.

Kjo edhe ndodhi dymbëdhjetë vjet më pas.

Destinacioni ishte Beogradi më saktësisht zyra e presidentit, Slobodan Milosheviq.

Këtij, demokrati i tha disa fjalë që do ta shokonin atë, kurse tema ishte çështja e Kosovës e cila sapo kishte humbur autonominë brenda federatës.

“Në vizitën time të parë në Serbi ku kisha një takim të gjatë me Millosheviç më 1991, ku më pyeti se çfarë mendojë për të. I thashë në zyrë dhe publikisht, zotëri president unë mendoj se ju jeni një kriminel lufte dhe duhet të trajtoheni si i tillë”, pati treguar Biden më 1997. /Telegrafi/