Talenti i madh i Malishevës, Drilon Hazarollaj është duke përjetuar një super sezon, por edhe ka pasur shumë ‘punë’ nga ofertat e ndryshme të klubeve, por edhe ekipeve përfaqësuese që e duan për vete. Telegrafi, me anë të burimeve të besueshme, të afërta me lojtarin, ka mësuar gjithë situatën e 20-vjeçarit malishevas.
Emri i Drilon Hazrollajt është padyshim më i përfolur në sezonin e fundit në futbollin e Kosovës, pasi ka befasuar të gjithë me nivelin e treguar me skuadrën e Malishevës.
Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që djaloshi nga Malisheva të bëhet cak i ofertave të ndryshme të klubeve, por edhe ekipeve përfaqësuese që e donin si reprezentues të tyre.
Telegrafi, me anë të një burimi të besueshëm, shumë të afërt të Hazrollajt ka mësuar se 20-vjeçari u kërkua me ngulm nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë, por sulmuesi i gjithanshëm ka përdorur ‘veton’ duke pranuar ofertën e Kosovës, pas ftesës për të përfaqësuar ekipin A, të udhëhequr nga Franco Foda.
“Shqipëria ka bërë presion të madh për ta marrë, por Hazrollaj ka vendosur ta zgjedh Kosovën”, ka zbuluar për Telegrafin njeriu i afërt i lojtarit.
Ky burim ka treguar dhe konfirmuar gjithashtu se ofertat nga klubet ruse për Hazrollajn kanë kaluar shifrën e 1 milion eurove, por ylli i Malishevës ka vendosur t’i refuzojë të gjitha pas dëshiron të luajë në një kampionat më të fortë evropian dhe jo në Rusi, shkruan Telegrafi.
“Hazrollaj ka vendosur vetë, t’i refuzojë ofertat nga Rusia, dëshiron një kampionat më të fortë”, ka shtuar burimi.
Kur është puna tek e ardhmja e Hazrollajt, burimi i Telegrafit ka zbuluar gjithashtu se ku pritet të luajë 20-vjeçari pas përfundimit të këtij sezoni.
“Me shumë gjasë, Hazrollaj në verë do të transferohet në Gjermani. Pesë klube nga Bundesliga e duan atë”, përfundoi njeriu i afërt i lojtarin.
Ndryshe, Hazrollaj këtë sezon ka shkëlqyer duke shënuar 15 gola dhe 7 asistime në Superligën e Kosovës, teksa ka shtuar edhe tri gola dhe dy asistime tjera në Kupën e Kosovës. /Telegrafi/