Shumëçka është thënë lidhur me largimin e Lionel Messit nga Barcelona. Nga spekulimet e shumta, ishte raportuar se superylli argjentinas ishte i gatshëm të hiqte dorë nga 40 për qind e pagës me qëllim që të nënshkruante kontratë të re me Blaugranët.
Mirëpo, sipas asaj që kanë shkruar gazetat spanjolle, krerët e klubit kishin kërkuar të ulte rrogën për 70 për qind, gjë që kishte nxitur reagimin e babait të lojtarit dhe me mosmarrëveshjet pasueses, ishte vendosur që 34-vjeçari të largohej nga Camp Nou.
Ai i tha lamtumirë Barcës mes emocionesh dhe të qarash në konferencën për shtyp, porse duket se raporti i Messit me presidentin Joan Laporta kishte kohë që ishte prishur.
Një video e publikuar nga momenti i arritjes së argjentinasit para konferencës për shtyp, e shfaq lojtarin duke bërë një përshëndetje të ftohtë me Joan Laporta dhe Rafael Yuste. Ky është një imazh i rëndësishëm për marrëdhënien e tanishme mes tyre, kur kihet parasysh se kanë qenë shumë të dhënë pas njëri-tjetrit në të kaluarën.
Sipas Sport.es, diçka ka ndryshuar mes tyre prej se Laporta i rifitoi zgjedhjet presidenciale dhe kjo e sqaron ndryshimin e situatës nga përqafimi i papërmbajtshëm pas fjalimit të parë si president i rizgjedhur, deri në përshëndetjen e ftohtë mes dyshes para konferencës lamtumirëse për dhjetëshen ikonike.
Sido që të jetë, kjo fazë tashmë është mbyllur dhe epoka e Leos si lojtar i Barcelonës ka mbaruar. Nga tash e tutje, atë e pret një kapitull i ri në karrierë, me shumë mundësi në Paris. Padyshim që rrugët e Messit dhe Barcës do të përputhen përsëri dikur në të ardhmen. /Telegrafi/
https://twitter.com/ManagingBarca/status/1424656216454664201