Ardhja e Lionel Messit në Paris Saint-Germain ka tronditur botën e futbollit dhe i ka bërë tifozët në të gjithë planetin të lëpijnë buzët në pritje të lojës së tij me klubin francez.
Argjentinasi tani do të lidhet me ish-shokun e tij te Barcelona, Neymar, si dhe Kylian Mbappe në atë që mund të jetë një nga treshet sulmuese më të rrezikshme të të gjitha kohërave.
Klubi francez ka një formacion sulmues i cili është më se i aftë të sjellë sukses në Paris, por a është kjo vija sulmuese më e mira që kemi parë ndonjëherë?
Gazeta Marca pyeti fansat se kush ishte ‘tridenti’ më i mirë që kishin parë ndonjëherë, me Messin, Luis Suarez dhe Neymar (MSN) që dolën në krye të listës.
Futbolli ka parë disa treshe fantastike përpara ndër vite, të tilla si MSN, apo BBC me Karim Benzema, Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldo ose treshen e Brazilit me Ronaldon, Ronaldinhon dhe Rivaldon.
Kur këta lojtarë u lidhën, ata krijuan disa momente të paharrueshme, dhe Marca ka hedhur një vështrim në statistikat dhe arritjet e tyre.
MSN (Messi – Suarez – Neymar)
Argjentinasi, uruguaiani dhe braziliani shijuan tre vite së bashku, të ngarkuar me trofe në Barcelona midis viteve 2014 dhe 2017 duke fituar nëntë tituj. Ata ngritën Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, dy tituj të La Ligas, një Superkupë Evropiane, një Superkupë të Spanjës dhe tre trofe të Kupës së Mbretit.
Ekipi kishte një përqindje fitoresh prej 76.2 për qind – 138 fitore nga 181 ndeshje – me ta në skuadër dhe MSN shënuan një shifër të pabesueshme prej 364 nga 519 golat e Barcelonës gjatë kësaj periudhe.
Messi shënoi 153 gola, Suarez shtoi 121 gola dhe Neymar 90 sosh, teksa regjistruan më shumë asistime sesa BBC me 173 asistime.
BBC (Benzema – Bale – Cristiano)
Tifozët e Real Madridit e vlerësuan këtë sulm trembës për pesë sezone në Santiago Bernabeu, në të cilin Los Blancos fituan 13 trofe të mëdhenj, përfshirë katër Liga të Kampionëve, tre Superkupa Evropiane, tre Kupa të Botës për Klube, një Superkupë të Spanjës, një Copa del Rey dhe një titull të La Ligas.
Ata kishin një përqindje fitoresh prej 71.7 për qind – 201 nga 293 ndeshje – dhe shënuan 442 nga 784 golat e gjithë skuadrës. Të tre shënuan në 13 raste dhe grumbulluan 171 asistime mes tyre – shifër mbresëlënëse pasi ata luajtën së bashku vetëm në 46 për qind të ndeshjeve që klubi luajti, duke filluar vetëm 98.
Të gjashtë lojtarët apo dy treshet e lartpërmendura u përballën me njëri-tjetrin tri herë në El Clasico dhe shënuan shtatë nga 10 golat në ato ndeshje.
LaLiga (22/03/15): Barcelona 2-1 Real Madrid
LaLiga (21/11/15): Real Madrid 0-4 Barcelona
LaLiga (02/04/16): Barcelona 1-2 Real Madrid
Ronaldo – Ronaldinho – Rivaldo
Këta të tre e quan Brazilin në fitimin e Kupës së Botës në Kore dhe Japoni në vitin 2002, duke fituar të shtatë ndeshjet që ata luajtën në këtë turne.
Ata e mposhtën Gjermaninë në finale me një dy golësh nga Ronaldo, me Rivaldon dhe Ronaldinhon që bënë shfaqje shumë të mira.
Nga 18 golat që Brazili shënoi në këtë garë, 15 erdhën nga tre sulmuesit e tyre, me Ronaldon që fitoi Këpucën e Artë me tetë gola, Rivaldo shënoi pesë dhe Ronaldinho kontribuoi me dy sosh.
MNM (Messi – Neymar – Mbappe)
Pritshmëritë janë të mëdha për lojtarët kryesorë të PSG-së këtë sezon dhe shumë presin që ata të çojnë klubin francez në nivel tjetër si brenda ashtu edhe në Evropë.
Messi e përfundoi sezonin e kaluar me 38 gola dhe 14 asistime në 47 ndeshje, Neymar regjistroi 17 gola dhe 11 asistime në 31 ndeshje dhe Mbappe shënoi 42 gola të pabesueshëm dhe 11 asistime në 47 ndeshje.
Në letër këto shifra dhe këta emra janë të pandalshme, por vetëm koha do të tregojë nëse janë treshja më e mirë ndonjëherë. /Telegrafi/