Funksionalizmi i kodit telefonik +383 për Kosovën, pritet të bëhet deri në fund të qershorit, përveç operatorëve Vala, IPKO dhe Z Mobile, sipas zyrtarëve të Autoritetit për Komunikime Postare dhe Elektronike të Kosovës (ARKEP), këtë kod do ta përdor edhe operatori i përkohshëm i telefonisë mobile “MTS do” i cili funksionon në territorin e komunave veriore, Graçanicë dhe në disa vendbanime tjera me serb.
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se përdorimi i kodit telefonik +383 do të jetë i obligueshëm për të gjithë operatorët e telefonisë në Kosovë, këtu duke përfshirë edhe operatorin e përkohshëm “MTS Do” i cili funksionon në vendbanimet me serb në vend.
“Funksionon komunat Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës dhe në një pjesë të Graçanicës dhe në pjesën lindore të Kosovës të banuar me serbë”, tha ai.
Gashi ka treguar se më 31 mars të vitit që shkoi është ndërprerë funksionimi i operatorëve ilegal Telenor dhe VIP.
Marrja e kodit shtetëror +383 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), për Kosovën, ka mundësuar që ky kod për thirrje ndërkombëtare i vetëm dhe unik.
“+383 do të jetë kod i vetëm, ku të gjitha thirrjet të cilat bëhen do të shfrytëzohet nga operatorët ky kod. Jemi duke punuar që edhe operatori që funksionon në pjesën veriore dhe disa vendbanime tjera të kalojë në kodin +383 deri në fund të muajit qershor të këtij viti”, ka thënë kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, në një intervistë për Telegrafin.
Ndryshe kodi shtetëror +383 për Kosovën është ndarë më 15 dhjetor të vitit 2016. /Telegrafi/