Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka lutur aleatët perëndimorë që t’i ofrojnë vendit të tij ndihmë ushtarake ndërsa Rusia vazhdon agresionin e saj të paprovokuar.
“Ne kemi nevojë për ju tani”, u tha Zelensky anëtarëve të Kongresit amerikan në një nga lutjet e tij të fundit për ndihmë përpara një qeverie mike, përcjell Telegrafi.
Kështu, siç vë në pah CNN, përcjell Telegrafi, SHBA-ja dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë përmbushur një sërë kërkesash të Zelensky-t, ndërkohë që nuk kanë marrë masa të caktuara që ata thonë se mund të rrezikojnë një përshkallëzim në luftë.
Në këtë drejtim, ndihma ushtarake e ofruar për Ukrainën deri më tani përfshin armë që variojnë nga dronët portativë deri te sistemet komplekse të raketave me rreze të gjatë.
Ja çfarë është dërguar:
Dronët: Drone të vegjël, të lëvizshëm, të ashtuquajtur kamikazë, të cilët mbajnë koka luftarake dhe shpërthejnë gjatë përplasjes. Modeli më i vogël mund të godasë një objektiv deri në 10 kilometra larg, sipas kompanisë që prodhon dronët, AeroVironment. Është e paqartë se çfarë modeli do të dërgojë SHBA në Ukrainë.
Raketat kundërajrore Stinger: Këto raketa anti-ajrore kanë një rreze prej rreth 8 kilometra. Në mënyrë kritike, raketat Stinger mund të bëjnë dallimin midis aeroplanëve armik dhe atyre miqësorë.
Armët antitank Javelin: Ky sistem raketash i drejtuar mund të gjuhet nga një ushtar i vetëm dhe ka një rreze veprimi deri në 2500 metra.
Sistemet AT-4: Këto armë suedeze kundër artilerisë janë “të lehta dhe me një goditje”, sipas kompanisë që i prodhon ato, Saab Bofors Dynamics.
Sistemi i raketave të mbrojtjes ajrore Patriot: SHBA gjithashtu dorëzoi dy sisteme të mbrojtjes raketore në Poloni këtë muaj me qëllim të pengimit të Rusisë dhe rritjes së sigurisë së Polonisë mes shqetësimeve perëndimore se konflikti i Ukrainës mund të përhapet në vendet e lidhura me NATO-n. /Telegrafi/