Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shpërndarë kabinetin gjashtë anëtarësh të luftës, ka njoftuar një zyrtar izraelit, në një lëvizje të pritshme që erdhi pas largimit nga qeveria të ish gjeneralit centrist, Benny Gantz.
Netanyahu tani pritet të zhvillojë konsultime për luftën në Gaza me një grup të vogël ministrash, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe ministrin e Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, të cilët kishin qenë pjesë e kabinetit.
Raportohet se kryeministri izraelit ishte përballur me kërkesa nga partnerët nacionalistë-fetarë në koalicionin e tij, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, për t’u përfshirë në kabinetin e luftës, shkruan Reuters.
Por, ky veprim do të kishte intensifikuar tensionet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në.
Forumi u formua pasi Gantz iu bashkua Netanyahut në një qeveri të unitetit kombëtar në fillim të luftës në tetor dhe gjithashtu përfshiu partnerin e Gantz-it, Gadi Eisenkot, dhe Aryeh Deri, kreun e partisë fetare Shas, si vëzhgues.
Gantz dhe Eisenkot të dy u larguan nga qeveria javën e kaluar, për atë që ata thanë se ishte dështimi i Netanyahut për të formuar një strategji për luftën në Gaza. /Telegrafi/