Telegrafi

“Nëse Serbia dëshiron të ketë zgjedhje njëetnike, ta provojë në shtëpinë e saj” – deklarata e Kurtit dhe qëndrimet e opozitës për Asociacionin

Është rritur presioni ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e rrjedhimisht edhe për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ditë më parë u deklarua edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe liderët e partive opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se Asociacioni një etnik në Kosovën me kushtetutë shumë etnike nuk është i mundshëm.

Duke theksuar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice tjetër.

“Mirëpo nuk mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë neve për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjedhje njëetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, tha kryeministri Kurti.

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia i kanë arritur 33 marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjëra nuk mund të trajtohet me përparësi.

Lexo po ashtu Kurti: Asociacioni njëetnik – i pamundur në Kosovën shumetnike

“Ju dini shumë mirë që në Bosnje e Hercegovinë ka një Republikë Serbe. Bosnjën e Hercegovinën de jure Serbia e njeh, por de fakto e saboton për ditë, pra edhe një shteti që ia ka pranuar pavarësinë vetëm shikojeni çfarë po i bën”, tha kryeministri Kurti.

E lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë deklaruar edhe partitë në opozitë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka thënë se forca politike që drejton, i mbetet qëndrimit që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të krijohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme Kosovë-Serbi. E kjo e fundit, sipas tij, duhet të përfshijë dhe njohjen e ndërsjellë.

Lexo po ashtu Krasniqi: Asociacioni të bëhet pjesë e marrëveshjes së përgjithshme Kosovë-Serbi

Krasniqi shton se një marrëveshje finale, pa njohjen e ndërsjellë, nuk ofron stabilitet për Kosovën.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës kryetari i Partisë Demokratike kritikon kryeministrin e Kosovës për mungesë koordinimi me SHBA-të, duke e cilësuar qëndrimin e Kurtit mbi Asociacionin, një kauzë false, me të cilën erdhi në pushtet, e që vazhdon ta mbajë peng.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës një ditë para mbajtjes së takimit në Ambasadën amerikane për Asociacionin tha se orientimet e LDK-së janë për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.

Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Prishtina nuk duhet të mbetet peng i Asociacionit dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje është rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

Gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës, Haradinaj vlerëson qëndrimin e Uashingtonit në këtë proces, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara, po ndihmojnë Kosovën të kalojë pengesën e fundit, për të arritur tek marrëveshja finale.

Haradinaj ka thënë gjithashtu se i ashtuquajturi propozimi evropian, i cili sipas tij në fakt është më shumë amerikan, është një mundësi reale që Kosova të “divorcohet” nga Serbia.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur ne Bruksel në vitin 2013 dhe është miratuar në parlamentin e Kosovës. Në gusht të vitit 2015 është arritur një marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë gjeti shkelje ndërsa theksoi se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Ndërkaq, ditë më parë Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, i bënë thirrje Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e siguruar atë se ky mekanizëm nuk e cenon Kushtetutën, sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

Lexo po ashtu Chollet dhe Escobar: Si vendi më pro-kosovar në botë, SHBA garanton popullin e Kosovës se Kushtetuta nuk cenohet me Asociacion

Dy zyrtarët e lartë amerikan kanë dhënë garanci të fuqishme se SHBA është në mbështetje të Kosovës dhe se Kushtetuta e saj nuk do të cenohet nga Asociacioni.

Të njëjtën deklaratë e ka dhënë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ai theksoi se nuk mbështesin asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës. /Telegrafi/