Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot në mbrëmje, në rajonin e Mitrovicës ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale spiunazh.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, thuhet se “pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person”.
“I arrestuari A.V. dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, pa bërë të ditur përkatësinë nacionale të të arrestuarit.
“I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/