Site icon Telegrafi

Në Prishtinë konfiskohen rreth 25 kg marihuanë, arrestohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës në një operacion të koduar ‘Starti’, i zbatuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikeve Prishtinë, ka goditur një grup kriminal trafikantësh,ku janë arrestuar katër të dyshuar dhe janë sekuestruar mbi 25 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin.

Sipas njoftimit të policisë, ‘Starti’ ka filluar me trajtimin e informatave, mbledhjen e dëshmive në teren dhe sot në koordinim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë realizuar katër kontrolle në lokacione të ndryshme në Prishtinë.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 27 paketime, dyshohet të jetë marihuanë me peshë  25 kg 200 gr., një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë kalibrash të ndryshëm, gjashtë telefona celular dhe 350 euro. Dyshohet se lënda narkotike kishte qëllim tregun vendor”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Policia ka arrestuar  B.M., (1981), L.K., (1979), M.K., (1979) dhe F.H., (1991), të gjithë shtetas të Kosovës.

“Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’ dhe  ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”.

Të dyshuarit, me aktvendim nga prokurori dërgohen në mbajtje deri në 48 orë, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version