Site icon Telegrafi

Në moshën 23-vjeçare, Julian Alvarez “mundi” futbollin – këto janë të gjithë trofetë që ka fituar

Lojtarët e Manchester Cityt fituan Kupën e Botës për Klube mbrëmë në Arabinë Saudite, duke mposhtur Fluminensen me rezultat 4-0 në finalen e madhe.

Goli i parë i takimit u shënua nga argjentinasi Julian Alvarez në minutën e parë, duke i hapur kështu rrugën Qytetarëve drejt një trofeu të ri dhe duke e shtuar atë në koleksionin e tyre të jashtëzakonshëm.

Alvarez është vetëm 23 vjeç dhe praktikisht ende në fillimet e karrierës së tij dhe fansat në rrjetet sociale komentojnë se ai tashmë e ka “mposhtur” futbollin për faktin se ka fituar të gjithë trofetë që ka mundur dhe do të arrijë.

Lexo po ashtu Manchester City kampion i botës për klube, “shkatërron” Fluminensen në finale

Ylli argjentinas ka 14 trofe në koleksionin e tij, përkatësisht: Kupën e Botës, Kupën e Amerikës dhe Finalissiman e sapoformuar me kombëtaren argjentinase, Kupën e Botës për Klube, Ligën e Kampionëve, Ligën Premier, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën FA me Manchester Cityn.

Ai pushtoi edhe futbollin argjentinas me River Plate dhe fitoi të gjithë trofetë (Ligën Argjentinase, Superkupën e Argjentinës, Kupën e Argjentinës, Recopa Sudamericana dhe Champions Trophy) si dhe më të madhin në Amerikën e Jugut – Copa Libertadores.

Tani Alvarez fjalë për fjalë nuk ka asnjë shans për të fituar një tjetër trofe të madh deri në fund të karrierës së tij, pasi i ka fituar të gjithë.

Alvarez u rrit në skuadrën e River Plate, nga e cila u transferua te Manchester City në janar 2022 në një transferim prej 21.5 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version