Telegrafi

Në luftën e Ukrainës u dëshmuan si armë efikase, djali i themeluesit të kompanisë turke thotë se tani po i kërkon tërë bota dronët Bayraktar

Djali i themeluesit të kompanisë Baykar, Selcuk Bayraktar, ka folur për Reuters lidhur me zhvillimin dhe prodhimin e fluturakes pa pilot Bayraktar TB2 – duke pranuar se pas luftës në Ukrainë e tërë bota po i kërkon dronët e tillë.

Në një bisedë të dhënë për agjencinë e lajmeve, Bayraktar ka shpjeguar sesi fluturaket pa pilot kanë treguar se teknologjia po revolucionarizon luftimet moderne, transmeton Telegrafi.

“Bayraktar TB3 po bën atë që duhet të bëjë – të largojë disa prej sistemeve më të avancuara kundërajrore dhe sisteme tjera atilerike si dhe mjete të blinduara. E tërë bota tani janë klientët tonë”, tha Bayraktar.

Përveç që tani po përdoret në Ukrainë, dronët TB2 janë përdorur edhe në luftime tjera siç ishte rasti në Libi, Irak, Siri dhe në Nagorno Karabak.

Lexo po ashtu Bayraktar: 'I armatosur' me vetëm një kitarë, rrëfimi për njeriun që po ndihmon Ukrainën t'i rezistojë Rusisë

Siç thekson Bayraktar, kompania planifikon të prodhojë 200 dronë në vit të tipit TB2. Gjithashtu pranoi se është krenar që këta dronë po përdoren në Ukrainë si dhe që janë përdorur në Nagorno Karabak.

“Është një pushtim ilegal, kështu që TB2 po ndihmon popullin e Ukrainës të mbrojë vendin e vet. Okupimi ilegal i Karabakut ka qenë si plagë në zemër për rininë tonë. Si inxhinierë që zhvillojmë teknologji, është nderë të ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona në Azarbajxhan që ta rikthejnë territorin e tyre”, shtoi turku.

E pavarësisht që nga Kremlini kanë bërë të ditur se ushtria ruse në të ardhmen do të përdorë gjeneratën e re të armëve laserike që do të shkatërrojnë dronë, Selcuk thotë se kjo nuk paraqet problem për dronët turq.

“Rrezja e veprimit të armëve laserike është e kufizuar, kështu që nuk do të jetë efikase kundër dronit TB2”, shtoi Bayraktar.

Lexo po ashtu Momenti kur droni Bayraktar godet konvojin e ushtrisë ruse

Gjithashtu theksoi se kompania po punon në prodhimin e gjeneratës së re të fluturakes pa pilot TB3, që do të mund të ngjitet dhe zbret nëpër aeroplanmbajtëse që kanë pista më të shkurta.

Përveç planeve ushtarake, Bayraktar thotë se kompania planifikon prodhimin e të ashtuquajturve taksitë civilë dronë. /Telegrafi/