Drejtori i ekzekutiv i Superligës së Arabisë Saudite, Omar Mugharbel ka folur për mundësinë që Vinicius Jr të bëjë një lëvizje në ligën e tyre.
Në një intervistë për gazetën spanjolle AS, Mugharbel komentoi aftësinë e ligës për të tërhequr talentet më të mirë.
Mugharbel theksoi se klubet në Superligën e Arabisë Saudite janë në faza të ndryshme zhvillimi.
“Ne kemi klube të ndryshme në nivele të ndryshme. Me nivele të ndryshme pjekurie. Kjo ndodh në çdo ligë në botë. Ka ekipe që mund të tërheqin ata lloj lojtarësh dhe të tjerë që ende duhet të zhvillohen shumë më tepër”, ka thënë fillimisht Mugharbel.
Drejtori Ekzekutiv gjithashtu theksoi se liga është në një pozicion për të nënshkruar lojtarë si Vinicius Jr.
“Dhe nëse vlerësoj me atë që kemi sot, klubet tona kanë atë që duhet për të tërhequr, zhvilluar dhe ushqyer talente të tilla”.
Pavarësisht nga një ofertë masive e bërë për Vinicius Jr verën e kaluar, ylli brazilian e refuzoi atë. Megjithatë, bisedimet mes përfaqësuesve të tij dhe klubeve saudite kanë vazhduar, duke lënë të hapur derën për një transferim të ardhshëm.
“Pra, le të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë me atë (Vinicius)”, përfundoi drejtori ekzekutiv i Superligës së Arabisë Saudite. /Telegrafi/