Sonte (e hënë) zhvillohet ceremonia e sivjetme e ndarjes së çmimit prestigjioz individual, Topi i Artë. Natyrisht se futbolldashësit dhe tifozët e lojtarëve të caktuar tash e një kohë kanë nisur të parashikojnë se kush mund të jetë apo kush e meriton ta fitojë trofeun për vitin 2019.
Në listën e plotë prej 30 konkurrentëve ndodhen “të përhershmit”, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, mirëpo thuhet se argjentinasi është favoriti kryesor për ta fituar çmimin e madh.
Konkurrenti kryesor i superyllit të Barcelonës është qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, i cili në rast se e fiton, do të bëhej mbrojtësi i parë që nga Fabio Cannavaro (2006) që e rrëmben Topin e Artë.
Mirëpo, në internet tashmë ka “rrjedhur” një listë me emra dhe me pikë që besohet të jetë renditja finale e konkurrentëve për çmimin prestigjioz.
Sipas asaj liste, fitues i Topit të Artë për vitin 2019 është Lionel Messi (446 pikë), i ndjekur nga van Dijk (382), Mohamed Salah (179) e Cristiano Ronaldo (133). /Telegrafi/