Me njoftimet se Liverpooli planifikon transferimin e Paulo Dybalas si lojtar të lirë nga Juventusi në fund të sezonit, mediat sportive kanë shqyrtuar opsionet e përshtatjes në sistemin e Jurgen Kloppit.
Pasditen e të mërkurës, Sportitalia dhe Tuttomercatoweb kanë raportuar se argjentinasi nuk është aspak i kënaqur për zvogëlimin e ofertës për rrogën e tij në kontratën e re dhe se mund të largohet gjatë verës.
Dybala nuk e ka fuqinë fizikë për përballje të forta as në Serie A, ndërsa në Ligën Premier do të çalonte në këtë aspekt.
Mbi të gjitha, Liverpooli luan me një formacion të konsoliduar 4-3-3 me Mohamed Salah e Sadio Mane si zgjedhjet kryesore në krahë.
28-vjeçari ka luajtur herë pas here një rol më anësor për Juventusin, por shpesh ka vuajtur për të pasur ndikim atje, duke hyrë vazhdimisht brenda dhe në rolin e qendërsulmuesit për të gjuajtur me këmbën e majtë.
Njëherësh, ai është përdorur edhe si ‘9 fals’, një eksperiment që po ashtu nuk ka pasur suksesin e duhur, ndërsa problemet me lëndime e kanë kufizuar lojën dhe zhvillimin e tij në këtë edicion, ku i ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 23 ndeshje.
Parimisht, Dybala është një trekuartist duke luajtur prapa dy sulmuesve ose si sulmues i dytë që ka nevojë për një partner të fortë në fazën ofensive.
“Besoj se roli më i mirë për Dybalan është që të luajë prapa një qendërsulmuesi, sepse ai mund të asistojë, mund të shënojë gola, por ai është edhe një lidhje e përsosur ndërmjet mesfushës dhe sulmit”.
“Nuk pres që ai të jetë kaq i suksesshëm si qendërsulmues, edhe pse është i gjithanshëm, vrapon shumë dhe mund të krijojë hapësira për futbollistët tjerë”, ka deklaruar legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero për Sky Sport Italia. /Telegrafi/