Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel diskutuan gjithashtu për Ballkanin Perëndimor.
Merkel po qëndron tash e sa ditë në Uashington, në një vizitë të fundit si kancelare në Uashington.
“Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane”, tha Biden në një konferencë të përbashkët shtypi, siç u botua në faqen e Shtëpisë së Bardhë.
Ai shtoi se ata gjithashtu folën për mbështetjen për sovranitetin e Ukrainës, si dhe mbrojtjen e aleatëve amerikanë në krahun lindor të NATO-s nga, siç tha ai, agresioni rus.
Biden dhe Merkel dështuan të zgjidhin një mosmarrëveshje rreth tubacionit të gazit Nord Stream 2 të Rusisë, por ranë dakord që Moska nuk duhet të lejohet të përdorë burimin e energjisë si një armë presioni ndaj fqinjëve.
Biden gjithashtu theksoi se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të devijojnë nga parimet demokratike dhe të drejtat universale të njeriut, në kundërshtim, siç pretendon ai, ndaj lëvizjeve të ndërmarra nga Kina. /Telegrafi/