Tre klube nga i njëjti vend humbën të tria finalet e garave evropiane për herë të parë në histori.
Interi u mposht nga Manchester City (1-0) në Ligën e Kampionëve, Roma humbi nga Sevilla me penallti në Ligën e Evropës, ndërsa West Ham mposhti Fiorentinën (2-1) në Ligën e Konferencës.
Italianët kishin tre përfaqësues në finalet e Evropës për herë të parë që nga viti 1990.
Megjithatë, atëherë rezultati ishte krejtësisht i kundërt. 33 vite më parë, Milani mundi Benficën 1-0 me golin e Frank Rijkaard në finalen e Kupës së Kampionëve, që tani quhet Liga e Kampionëve.
Dominimi i ekipeve italiane ishte më i madh duke pasur parasysh se në finalen e Ligës së Evropës (UEFA Cup) Juventusi luajti ndaj Fiorentinës. Ndeshja e parë u mbyll me fitoren 3-1 të klubit torinez, për të cilin golat i shënuan Roberto Galia, Pierluigi Casiraghi dhe Luigi de Agostini, ndërsa Renato Buso shënoi për Fiorentinën. Ndeshja e kthimit përfundoi 0-0 dhe Juventusi fitoi garën e dytë më të madhe.
Fitues i kompeticionit të tretë, apo Kupën e Fituesve të Kupave, në vitin 1990 e mori Sampdoria, që mundi Anderlechtin 2-0 pas kohës shtesë. Heroi ishte Gianluca Vialli me dy gola. /Telegrafi/