Site icon Telegrafi

Ndizen qirinj në nderim të tri viktimave në Gllogjan

Në Deçan, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj në nderim të dy nxënësve dhe shoferit të autobusit, të cilët u vranë mbrëmë në një sulm me armë zjarri ndaj një autobusi në Gllogjan.

Deri më tani, në lidhje me rastin nuk ka asnjë të arrestuar, teksa hetimet po bëhen në tri pista të ndryshme, sipas Policisë së Kosovës.

Ndryshe, të premten mbrëma në Gllogjan u sulmua me armë zjarri autobusi që po bartte nxënës, ku si pasojë e plagëve, shoferi i autobusit humbi jetën në vend, ndërkaq dy nxënësit e plagosur rëndë po ashtu nuk u mbijetuan plagëve të marra.

Lexo po ashtu Konfirmohen tre të vrarë nga të shtënat në autobus në Gllogjan, dy prej tyre nxënës

Një tjetër nxënës që kishte mbetur i plagosur në këtë ngjarje, tashmë është jashtë rrezikut për jetë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka dhënë ultimatum vrasësit të tre personave në Gllogjan të Deçanit që të dorëzohet sa më shpejtë në Polici.

Sveçla në një konferencë për media tha se kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që të zbulojnë këtë rast, transmeton Telegrafi.

“Me të marrë lajmin jam kthyer në Kosovë dhe jam nisur drejt Deçanit për të takuar gjithë strukturat policore, por edhe prokurorët e rastit dhe për të shprehur gatishmërinë tonë që të vëmë në funksion gjithë kapacitetet e shtetit në zbulimin e këtij rasti, dhe lehtësimin e dhimbjeve për familjarët. Dua të bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që për çfardo informacioni t’i drejtohen Policisë dhe rasti të zgjidhet sa më parë”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Sveçla: Vrasësit i jap ultimatum të dorëzohet, po koordinohemi edhe me AKI për rastin e Gllogjanit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se janë duke marrë shumë informacione të ndryshme dhe kanë rreth tri pista hetimi në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit.

Lexo po ashtu Mehmeti: Kemi 2-3 pista hetimi dhe informacione të shumta, nuk kemi asnjë të dhënë që na çon në një akt terrorist

Mehmeti u shpreh se është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe se janë angazhuar ekspertë të niveleve të ndryshme për të ekzaminuar provat dhe vlerësuar informacionet e shumta që po marrin. /Telegrafi/

Exit mobile version