Kreu i Aleancës më të madhe ushtarake, Jens Stoltenberg, është zotuar se NATO-ja do t’i dërgojë sisteme mbrojtëse kundërajrore Ukrainë këto ditë.
“NATO-ja këto ditë do t’i dërgojë Ukrainës edhe sisteme kundër dronëve, përfshirë sisteme që janë të punuar enkas kundër dronëve kamikaz siç është rasti i atyre nga Irani. Asnjë komb nuk do të duhej të mbështeste luftën ilegale të Rusisë kundër Ukrainës”, shtoi kreu i NATO-s, transmeton Telegrafi.
Ky lajm vjen në kohën kur ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka bërë të ditur se do t’i kërkojë presidentit Volodymyr Zelensky që zyrtarisht të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Irani, si shenjë proteste për dërgimin e dronëve në Rusi.
“Veprimet e Iranit janë të ndyra dhe mashtruese”, tha shefi i diplomacisë ukrainase.
Në anën tjetër, Ukraina i ka ftuar ekspertët që të inspektojnë dhe të binden se në sulmet e fundit mbi qytetet ukrainase, ishin dronët iranian që goditën rrjetin energjetik. /Telegrafi/