Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku përfaqësuesit serbë vendosën që të largohen nga institucionet, ndërsa disa zyrtarë policorë zhveshën uniformat.
Musliu ka thënë se të gjithë ata policë që kanë zhveshur uniformat duhet të largohet përgjithmonë nga Policia e Kosovës.
Kjo pasi siç ka thënë, uniforma e policit të shtetit nuk duhet keqpërdorur as si kompromis, as si mjet presioni politik dhe as si mjet prepotence e force.
“Siguria e Kosovës po sfidohet rend në Veri të Kosovës. Policet që zhveshën uniformat sot duhet të largohen përgjithmonë nga ky institucion. Uniforma e policit të shtetit nuk duhet keqpërdorur as si kompromis, as si mjet presioni politik dhe as si mjet prepotence e force”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Tutje, ajo ka thënë se Policia e Kosovës “duhet të lirohet nga marionetat, por edhe nga kaubojët”.
“E zhveshën me lehtësi, kthimin duhet ta kenë të pamundur”, ka përfunduar deputetja e PDK-së. /Telegrafi/