Site icon Telegrafi

Musliu: Organet e sigurisë kanë informacione se në Rashkë po kryhen stërvitje për të destabilizuar veriun

Në Rashkë të Serbisë po kryhen trajnime të grupeve të caktuara për të destabilizuar situatën në Kosovë.

Kështu ka deklaruar kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas një takimi që kanë zhvilluar sot me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.

“Gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi është stabile me përjashtim të katër komunave veriore ku shihen tendenca për destablizim. E ashtuquajtura Organizata e Mbrojtje Civile në bashkëpunim me Listën Serbe vazhdimisht kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtar të kësaj organizate dy grupe tashmë janë duke kryer kurse të trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë”, ka thënë Musliu.

Musliu tha se tashmë është e konfirmuar trajnimi i dy grupeve në Rashkë.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së – Foto: Ridvan Slivova

“Unë flas zyrtarisht si institucion, tashmë është konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë për aksione të ndryshme eventuale që mund të merren në veri të Kosovës. Ka stërvitje për gjuajtje me armë, stërvitje për taktizim”, tha Musliu.

Ajo ka shtuar se në veri po vazhdon djegia e veturave të qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët kanë shprehur vullnetin që ti konvertojnë targat në RKS.

“Linçimi dhe presioni është rrit ndaj qytetarëve serb që nuk i binden Listës Serbe në veri. Andaj si shtet dhe institucione duhet të jemi vigjilent dhe të përgatitur për çdo provokim të situatës atje që mos të na zënë në befasi sepse nuk mund të jetë asgjë e papritur”, tha Musliu.

Deputetja e PDK-së, shtoi se AKI është duke kryer punën në teren me sukses.  /Telegrafi/

Exit mobile version