Telegrafi

Murati: Punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë janë vonuar nga mungesa trevjeçare e financimit

Afrim Murati nga Departamenti i shpronësimit në Ministrinë e Mjedisit, ka thënë se bashkëpunimi i këtij departamenti me ministritë dhe komunat ka qenë i mirë që ka ndihmuar në ndërtimin e rrugëve.

Murati, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se shpronësimi pronave për rrugën Prishtinë-Mitrovicë ka filluar në vitin 2013 dhe procesi ka qenë duke ecur mirë derisa ka ardhur një shkresë nga Komuna e Vushtrrisë për paraqitjen e disa problemeve për shkak të ndryshimit të pronarëve të tokës.

Ai ka thënë se problemi i pronave është evident edhe tek rruga Prishtinë-Mitrovicë.

“Ato janë paraqitur probleme pronësore, trashëgimore, padi për vërtetim pronësi, prona mbi fqinjin, s’ka qenë përkthimi në rregull”.

Murati thotë se qytetarët nuk kanë qenë të informuar sa duhet për vonesat e mundshme që mund të dalin gjatë ndërtimit të rrugëve pasi sipas tij shumica e kompanive private nuk kanë departamente informuese për publikun siç kishte Bechtel-i.

“Rruga Prishtinë-Mitrovicë nuk ka pasur vonesa, por problemi është se në një periudhë tri vjeçare projekti nuk ka pasur financim, Tash e ka marrë Banka Islamike dhe gjërat kanë filluar të lëvizin”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Lokaj: Pronat në emër të prindit, problem në procesin e shpronësimeve

Zyrtari nga Ministria e Mjedisit ka thënë se për të filluar ministria një proces shpronësimi duhet të pranojë kërkesë nga komunat përkatëse ku zhvillohen punimet në rrugë.

Ai ka thënë se procedura e shpronësimit të parcelave zgjat katër muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.

Murati ka thënë se është lajm i mirë që në rrugën Pejë-Zahaq kanë përfunduar shpronësimet dhe se sipas tij kjo është një tregues së punimet nuk do të zgjaten shumë./Telegrafi/