Site icon Telegrafi

Vonesa në krijimin e institucioneve do të shkaktonte krizë politike

Analistët po e shohin majin mars si skenarin më optimist, ndonëse vështirë i realizueshëm, për formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, por që  varen edhe nga certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). 

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Telegrafin se formimi i institucioneve të Kosovës varet nga koha se kur KQZ do t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.

Kjo pasi siç tha ai, në zgjedhjet e kaluara KQZ-ja është vonuar në certifikim të rezultateve, plot 53 ditë.

“Mos të harrojmë se KQZ-ja vonohet në certifikim të rezultateve pasi në zgjedhjet e kaluara ka zgjatur plot 53 ditë, derisa është bërë certifikimi i rezultateve. E kjo mund të shkaktoj probleme në zvarritjen e krijimit të qeverisë. Tash për tash situata duket që është më e qartë, në kuptimin se pak a shumë po dihet që Vetëvendosja e ka ndërmend që qeverinë ta bëjë vet me ndonjë votë të komuniteteve jo shumicë. Do duhej që KQZ-ja ta shpejtonte numërimin e votave nga diaspora në mënyrë që mos të mbetet peng krijimi i institucioneve nga puna e ngadaltë e saj. Duke pasur parasysh edhe afatet për zgjedhjen e presidentit, pasi siç e dimë deri më 7 prill duhet të përfundojnë përgatitjet për zgjedhjen e presidentit dhe deri më 7 maj duhet ta kemi presidentin e ri, atëherë krijimi i këtyre institucioneve është i domosdoshëm, nëse nuk dëshirojmë që të shkaktojmë krizë të re politike”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë funksionale – në kuptimin e vendimmarrjes, pasi shton se do të ishte pozitive nëse Lista Serbe nuk do të kishte ndikim të madh vendimmarrës siç ka pasur në të kaluarën.

“Për mua si qytetarë është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë funksionale në kuptimin e vendimmarrjes që mund të kryhen. Ndër vite Lista Serbe ka qenë vendimmarrëse në Qeveri, e do të ishte shumë pozitive që ky ndikim të ulej më shumë natyrisht me përfshirjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Qeveri pasi është obligim kushtetues”, tha ai.

Mushkolaj thekson se ende nuk dihet se kush do të jetë në kabinetin e Qeverisë Kurti.

Imer Mushkolaj

“Nuk kemi ndonjë emër konkret që është konfirmuar nga Kurti për kabinetin e tij. Jemi mësuar me emrat e partive të deri tanishme, por duhet të mësohemi dhe me emrat të cilat mund të duken anonim por ta kryejnë punën në mënyre funksionale.

Ndërsa, Artan Muhaxhiri ka thënë se sistemi zgjedhor në Kosovë imponon kompromise për secilin fitues, pa marrë parasysh numrin e deputetëve.

Sipas tij, opsionet për formimin e qeverisë do të determinohen nga rezultati final pas shterjes së të gjitha procedurave të ndërlidhura me procesin zgjedhor.

“LVV-ja i ka tri mundësi t’i fitojë 61 deputetë, të bëjë koalicion me një parti shqiptare, ose ta përvetësojë ndonjë deputet mobil opozitar”, tha Muhaxhiri për Telegrafin.

Siç tha ai, një faktor i ri në konstalacionet qeveritare do të jetë edhe rritja e pushtetit direkt dhe indirekt të Listës Serbe, me tentakulat e saj pseudo-joserbe.

“Është e pritshme që në ndërmjetësim të përfshihen edhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Muaji mars është skenari më optimist, ndonëse vështirë i realizueshëm”, tha ai.

Artan Muhaxhiri

Fushata zgjedhore e LVV-së, sipas tij ishte e përqendruar në populizëm dhe relativizim të sfidave reale.

“Dominimi absolut i personalitetit të Albin Kurtit dhe shndërrimi i tij në alfa dhe omega të LVV-së si mishërim i idesë dhe substancës, e zhvendosi nga vëmendja debatin për ministrat potencialë. Qeveria Kurti 2.0’ duhet të jetë harmonizuese mes disa ministrave nga mandati i parë dhe emrave të rinj – gjithsesi duke e pasur parasysh edhe ruajtjen e fuqisë cilësore përfaqësuese në grupin parlamentar, si mësim nga gabimi i herës së kaluar”, vlerësoi ai.

Muhaxhiri u shpreh se formati i kabinetit të ri do të duhej të ishte më pak i centralizuar sesa i kaluari, me mundësim të autonomisë më të madhe në vendimmarrje të ministrave, duke krijuar sipas tij hapësira vepruese dhe llojllojshmëri më të guximshme planifikimesh institucionale.

I pyetur nëse i ka LVV-ja njerëzit e duhur për të udhëhequr qeverinë, Muhaxhiri tha se “LVV-ja është në zenitin e saj.

“Prandaj teorikisht kurrë nuk e ka pasur më të lehtë që të afrojë njerëz me kualitete politike dhe profesionale për t’u bërë pjesë e projektit të saj. Ky potencial ekziston, mirëpo për realizimin e tij gjithçka do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e Albin Kurtit që të gjejë balanca mes reformimit gradual të LVV-së dhe ruajtjes së tipareve të saj identitare. Lista zgjedhore e këtij subjekti për 14 shkurt shfaqi tentimin e Kurtit për t’i shtëpizuar përbrenda një ombrelle të madhe përfaqësuesit e kategorive diametralisht të kundërta ideologjike dhe sociokulturore, plan i cili e ka të garantuar fuqizimin e tensionimeve të brendshme dhe perspektivën e eksplodimit të pashmangshëm”, u shpreh ai.

Mirëpo si e kanë vlerësuar Mushkolaj dhe Muhaxhiri qeverisjen e shkurt të Albin Kurtit?

Mushkolaj u shpreh se ishte kohë shumë e shkurt e qeverisjes së tij, edhe pse siç tha ai nuk dihet se çfarë do të ndodhte nëse do të qeveriste deri më sot.

“Një kohë shumë e shkurt në të cilën qeverisi Kurti. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhte nëse ai do të qeveriste deri tash, për shkak se situata e rëndë me pandeminë si dhe në aspektin shëndetësorë, ekonomik-social lë pasojat e veta dhe në qeverisje. Problemi më i madh që shoh në raportin qeveri-qytetarë është ‘mungesa e besimit’ ”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa Muhaxhiri deklaroi se periudha qeverisëse “Kurti 1” ishte një eksperiment me testime edhe ndaj Kurtit, por edhe të vet Kurtit.

“Problemet brenda koalicionit dhe pandemia trazuan stabilitetin e themeleve bashkëpunuese, së bashku me mungesën e një vizioni afatgjatë për lidership. Mungesa e përvojës qeveritare ishte evidente shkaku i yryshit për marrje të vendimeve populiste, të cilat u zhvlerësuan kur hasën në papërputhshmëri ligjore dhe sistemore. Nuk u dëshmua vetëdijesim i kënaqshëm politik as për qasjen ndaj ruajtjes së aleancës jetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurti do të rrezatonte pragmatizëm tejet të mirëseardhur nëse ato praktika tash do t’i shndërronte në leksione përmirësuese dhe të sillej më ndryshe – si shembull dëshmues për evoluimin e tij shtetar”, tha ndër të tjera Muhaxhiri. /Telegrafi/

Exit mobile version