Site icon Telegrafi

Mospajtimet në relacionin BE-Kosovë-Serbi për integrimin e gjyqësorit

Suspendimi i një gjyqtareje serbe të Kosovës që mori pjesë në një takim me Vuçiqin në Beograd, ka nxitur reagime të shumta. Serbët kanë protestuar, BE ka reaguar e kryeministri Kurti i ka shpjeguar procedurat.

Suspendimi ditë më parë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, pjesëtare e komunitetit serb, Liljana Stevanoviq, nxiti reagimin e Bashkimit Evropian, i cili kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi, që të ulin tensionet dhe bëri thirrje që të respektohet marrëveshja për integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, por edhe procedurat e rregullave disiplinore të Kosovës.

Reagimi i BE-së u bë pasi që, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, e cila me 22 mars, së bashku me përfaqësues politik të serbëve të Kosovës mori pjesë në një mbledhje në Beograd, të thirrur nga presidenti i Serbisë,  Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha në Bruksel se duhet të kuptohet rëndësia e integrimit të personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, sikundër që duhet të respektohen edhe procedurat.

“Kemi marrë në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e përkohshëm të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Personeli serb i Kosovës ishte integruar në sistemin ligjor të Kosovës më 2017 përmes një marrëveshjeje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky integrim kishte mundësuar qasje në sistemin ligjor të Kosovës dhe sistemin e drejtësisë për komunitetin serb”, tha Stano.

Lexo po ashtu BE: Kosova refuzoi propozimin e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Sipas tij, “personeli gjyqësor i integruar kryen detyra të rëndësishme nga të cilat përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetet jo shumicë në Kosovë”. Në këtë kuadër tha Stano, “BE-ja pret që autoritetet kompetente të Kosovës, por edhe të Serbisë, të respektojnë të gjitha pjesët e kësaj marrëveshjeje”.

“Procedurat disiplinore nuk janë pjesë e marrëveshjes. BE beson se autoritetet kompetente do të ndjekin procesin dhe procedurën e duhur lidhur me shqyrtimin e një rasti të tillë disiplinor. Në të njëjtën kohë, presim nga personeli i sistemit ligjor të Kosovës të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës”, theksoi Peter Stano duke kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi, që të “veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për një atmosferë të përshtatshme për normalizimin e raporteve të tyre”.

Protestat serbe

Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë dhe suspendimi i gjyqtares Liljana Stevanoviq, bëri që Lista Serbe, që përfaqësohet me 10 deputet në kuvendin e Kosovës, të organizojë protesta dhe ka deklaruar se përfaqësuesit e tyre do të pezullojnë punën deri në kthimin në punë të gjyqtares Stevanoviq.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke e akuzuar kryeministrin i Kosovës, Albin Kurtin, për siç tha “shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, dhe  tha se “Marrëveshja e Brukselit e arritur më 2013,  nuk ekziston më”.

Kryeministri Kurti nga ana e tij, tha se sistemi gjyqësor i Kosovës është i pavarur nga Qeveria dhe se ai nuk merr vendime për gjyqësorin.  E vet Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njoftoi se vendimi për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës nga pozita e saj një ditë më parë, është marrë pa ndonjë ndikim politik. Sipas njoftimit, “ky vendim është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja dhe se nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren e suspenduar, Liljana Stevanoviq.

Ndërkohë, njohësi i sistemit të drejtësisë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha DW-së, se “deklarata e Bashkimit Evropian lidhur me rastin e suspendimit të gjyqtares Stevanoviq, konfirmon rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë, dhe obligimin e Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime të cilat e pengojnë zbatimin e të njëjtës”.

Rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve

“Nëse lexohet me vëmendje deklarata, e njëjta është kritikë e ashpër edhe ndaj presidentit Vuçiq dhe autoriteteve serbe, të cilët me veprime të një anshme në javët e fundit janë duke e minuar marrëveshjen për drejtësi. Deklarata e potencon në mënyrë të qartë se gjykatësit, prokurorët dhe policët serbë të integruar në sistemin juridik të Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor të zbatojnë dhe respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës.  Sikurse, njeh të drejtën e Këshillit Gjyqësor për të marr masa ndaj secilit gjykatës që nuk respekton ligjet e Kosovës, si në rastin konkret të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, tha Ehat Miftaraj.

Sipas tij, “Bashkimi Evropian përderisa njeh dhe respekton vendimin e fundit të KGJK-së, në të njëjtën kohë me të drejtë pret nga Këshilli Gjyqësor që të zbatoj ligjin, procedurën në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme”.

“Deklarata e Bashkimit Evropian si duket ka pasur ndikimin e saj, pasi që përkundër faktit se gjykatësit serbë kanë hyrë në grevë, kjo nuk po ndodh edhe me prokurorët serbë dhe stafin administrativ të cilët janë duke kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre sipas obligimeve që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Ehat Miftaraj.

Sipas tij, “Bashkimi Evropian po ashtu bën dallimin mes integrimit të stafit serb në sistemin juridik të Kosovës, rëndësisë që ka në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, por edhe e bën një ndarje mes integrimit dhe nevojës për të zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës”.

Në njohës tjetër i integrimeve evropiane, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv nga instituti  (think-tank) EPIK, i tha DW-së  se “rasti i gjyqtares Stevanoviq ka shpërfaqur brishtshmërinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku u konfirmua se çdo gjë mund të shndërrohet në çështje politike, madje edhe çështje totalisht të pavarura, sikur që janë çështjet e sundimi të ligjit”.

Respektimi i rregullave dhe ligjeve

“Unë e lexoj deklaratën e BE-së si mbështetje KGJK-së dhe thirrje Serbisë për përmbajtje nga veprimet të cilat cenojnë integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor”, thotë Demush Shasha.

Sipas tij, “pas suspendimit të znj. Stevanoviq, ishte paralajmëruar bojkotimi i punës së personelit gjyqësor në veriun e vendit. Kësisoj, me 25 mars ata nuk janë paraqitur në punë. Në këtë drejtim, unë lexoj deklaratën e BE-së si thirrje gjyqtarëve serb për të vijuar punën e tyre, pasi që përfituesit e punës së tyre janë vet qytetarët serb dhe çfarëdo bojkotimi i punës do të afektonte pothuaj ekskluzivisht qytetarët serb”.

Sidoqoftë, në ditët e fundit para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, pati një retorikë të ashpër politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës ditë më parë tha se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, pasi që Beogradi refuzoi që qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së Kosovës.

Vendet e QUINT-tit, shprehën keqardhje për vendimin e Kosovës ndërsa u bëjnë thirrje palëve që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të punojnë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje normalizimi ndërmjet dy vendeve. /dw/

Exit mobile version