Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të martën se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.
E duke marrë parasysh këtë deklaratë të Osmanit, ambasadori i BE-së ka theksuar nevojën urgjente që procesi i përzgjedhjes të jetë i bazuar në merita dhe transparencë.
“Duke marrë parasysh deklaratën e Presidentes për Kryeprokurorin e Shtetit, theksoj nevojën urgjente për një proces përzgjedhjeje të drejtë, të bazuar në merita, transparencë për pozitat brenda sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Szunyog në rrjetin social “X”.
Ai tutje iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të ruajnë me vendosmëri parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në zgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit. /Telegrafi/
While taking note of the President’s statement on the Chief State Prosecutor, I emphasise the critical need for a merit-based, transparent, and fair selection process for positions within the justice system. (1/2)
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) October 18, 2023