Telegrafi

Modric: Ronaldo më uroi për Topin e Artë – do ta kisha shkëmbyer për Kupën e Botës

(Fotomontazh: Twitter/UEFA)

Luka Modric ka thënë se Cristiano Ronaldo e kishte uruar në vitin 2018 kur mesfushori e mposhti në garën për Topin e Artë.

35-vjeçari u vlerësua pasi e fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin (së bashku me portugezin) dhe luajti në finale të Kampionatit Botëror me Kroacinë.

CR7, i cili ishte transferuar më pas te Juventusi, mbeti prapa tij, por sipas Modric, superylli i Zonjës së Vjetër e kishte uruar ish-bashkëlojtarin e tij për arritjen e madhe.

(Foto: Instagram/lukamodric10)

“Cristiano Ronaldo më uroi kur e fitova Topin e Artë”, ka thënë kroati në një intervistë për FourFourTwo.

“I ruajmë kontaktet, sepse loja me të ka qenë e mrekullueshme dhe e veçantë. Ai ishte shumë kërkues… gjatë ndeshjeve kërkonte që të gjithë të jepnin më të mirën dhe na motivonte”, ka shtuar mesfushori.

(Foto: Instagram/lukamodric10)

Megjithatë, Modric ka thënë se me shumë dëshirë do ta sakrifikonte Topin e Artë po ta kishte fituar Kupën e Botës me Kroacinë.

“Do ta shkëmbeja Topin e Artë për një Kupë të Botës me Kroacinë. Cmimet individuale janë spektakolare, por për mua objektivat kolektive janë më të rëndësishme”, ka deklaruar kroati. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/lukamodric10)