Luka Modric i ka quajtur ‘marrëzi’ spekulimet në media se ai e ka kërkuar transferimin te Interi.
Disa javë para mbylljes së afatit kalimtar në Itali nisën thashethemet se Nerazzurrët duan ta transferojnë mesfushorin kroat.
Ndërsa teksa afrohej dita e mbylljes së afatit veror, spekulimet vetëm sa intensifikoheshin, ndërsa u raportua se vet futbollisti e dëshiron kalimin në Giuseppe Meazza.
Madje Reali kishte inicuar një ankesë në FIFA se Interi kishte kontaktuar në mënyrë joligjore ndaj një lojtari që ishte nën kontratë.
Në ndërkohë faqja Futbolalreves e kishte shpërndarë lajmin në Instagram, duke iu referuar Gazetta dello Sport, ku thoshte se Los Blancos nuk mund ta akuzonin Interin, sepse vet lojtari ka kërkuar që të transferohet atje për t’u bashkuar me Marcelo Brozovic, Ivan Perisic dhe Sime Vrsaljko.
Mirëpo, ndaj këtij lajmi ka reaguar vet 33-vjeçari duke mohuar kërkesën për t’iu bashkuar zikaltërve.
“Futbolalreves, ky tregim është një marrëzi e madhe!”, ka shkruar Modric në koment, pasi ishte etiketuar nga shumë ndjekës të faqes.
Në ndërkohë, Modric u inkuadrua në pjesën e dytë në ndeshjen kundër Getafes, të cilën Real Madridi e fitoi me rezultat 2-0. /Telegrafi/