Telegrafi

Mjeku që e kontrolloi Dardan Krivaqën: Ai kishte problem, pasi përdori substanca narkotike

Pas shumë veprave penale ndër vite, edhe njëherë ka dalë para organeve të drejtësisë, Dardan Krivaqa. Ai doli para trupit gjykues në një seancë të mbyllur për mediat, si i dyshuari kryesor për privim nga jeta të 18-vjecares nga Ferizaj, Marigona Osmani. 

Qysh në fillim të seancës, Krivaqa kishte kërkuar ndihmë mjekësore meqë, sipas mjekut që e  kishte kontrolluar pacientin, i njëjti kishte shfaqur simptoma të depresionit.

“Gjendja e pacientit ishte stabile, parametrat vital ishin në normë, pacienti dukej pak në gjendje depresive dhe kjo dyshohet se është pasojë e përdorimit të substancave narkotike që ai dje vet e ka pohu”, ka thënë për RTK-në, Astrit Hoxha, mjeku që e kontrolloi Krivaqën.

Ani pse për disa minuta seanca dëgjimore ishte ndërprerë, seanca ndaj tij vazhdoi.

Gjykata Themelore e Ferizajt pas disa orësh, konfirmoi kërkesën e prokurorisë themelore që ndaj të dyshuarit të merret masa e paraburgimit për një muaj meqë, ka dëshmi të bazuara se i pandehuri D.K në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Lexo po ashtu Një muaj paraburgim për Dardan Krivaqën

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë.

Avokati i Krivaqës, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Admir Salihu, ka thënë se klienti i tij është mbrojtur në heshtje.