Pas shumë veprave penale ndër vite, edhe njëherë ka dalë para organeve të drejtësisë, Dardan Krivaqa. Ai doli para trupit gjykues në një seancë të mbyllur për mediat, si i dyshuari kryesor për privim nga jeta të 18-vjecares nga Ferizaj, Marigona Osmani.
Qysh në fillim të seancës, Krivaqa kishte kërkuar ndihmë mjekësore meqë, sipas mjekut që e kishte kontrolluar pacientin, i njëjti kishte shfaqur simptoma të depresionit.
“Gjendja e pacientit ishte stabile, parametrat vital ishin në normë, pacienti dukej pak në gjendje depresive dhe kjo dyshohet se është pasojë e përdorimit të substancave narkotike që ai dje vet e ka pohu”, ka thënë për RTK-në, Astrit Hoxha, mjeku që e kontrolloi Krivaqën.
Ani pse për disa minuta seanca dëgjimore ishte ndërprerë, seanca ndaj tij vazhdoi.
Gjykata Themelore e Ferizajt pas disa orësh, konfirmoi kërkesën e prokurorisë themelore që ndaj të dyshuarit të merret masa e paraburgimit për një muaj meqë, ka dëshmi të bazuara se i pandehuri D.K në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë.
Avokati i Krivaqës, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Admir Salihu, ka thënë se klienti i tij është mbrojtur në heshtje.