Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka paralajmëruar pjesëmarrjen në ndeshjen e sotme (e diel) që Përfaqësuesja e Kosovës e luan ndaj Anglisë.
Kosova është nikoqire e Anglisë në takimin e fundit eliminator të Euro 2020 të vlefshëm për Grupin A.
Ky takim prestigji për të dy vendet mike pritet të zhvillohet sot (e diel) në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 18:00.
Në këtë ndeshje pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe lideri i Vetëvendojes, Albin Kurti, i cili është edhe kandidat kryesor për kryeministër të Kosovës, pas triumfin në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Kurti ka shfrytëzuar profilin e tij zyrtar në Facebook për të paralajmëruar pjesëmarrjen në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Postimi pa ndërhyrje i Albin Kurtit:
Sikur para tri dekadave, e diela po më përsëritet sot. Në mesditë me bokserët Xhevdet Pecin, Mehmet Bogujevcin, Aziz Salihun, Fatmir Makollin e Beqir Berishën, kurse pasdite te “Fadil Vokrri” në stadiumin e qytetit me futbollistët tanë.
Ndoqa disa meçe në kuadër të edicionit të 21-të të Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari”. Mu në këtë sallë të Pallatit të Rinisë dikur ngadhënjente Klubi i Boksit “Prishtina”, disa orë para se në fushën e blertë të ngadhënjete Klubi Futbollistik “Prishtina” me Vokrrin që shënonte. Mirupafshim sonte në ndeshjen Kosovë-Angli.
/Telegrafi/